Shtojca për Kulturë

Frika prej një shteti të madh shqiptar në Ballkan

Shkup, 1911
 

Ndonëse dukej se situata në territoret shqiptare ishte qetësuar në ndërkohë, megjithatë nga fundi i vitit 1911, diplomatët austro-hungarezë parashikonin zhvillime të reja për vitin pasues në marrëdhëniet shqiptaro-osmane. Në një raport diplomatik të fillimit të muajit nëntor 1911, ndërmjet tjerash lexojmë: “Këtë herë do të jetë Kosova në qendër të këtyre ndodhive (...)”. Tashmë ishte bërë e qartë se shqiptarët e Kosovës po planifikonin një kryengritje të përgjithshme në verën e vitit 1912 nën drejtimin e Hasan Prishtinës dhe Nexhip Dragës, e cila megjithatë nuk u kurorëzua me sukses. Për vendet ballkanike, dhe sidomos për Serbinë, një shqetësim shtesë ishte ideja për krijimin e një province autonome shqiptare

Shqetësimet serbe ishin veçanërisht të theksuara sa herë diskutohej për mundësinë e krijimit të një province të re autonome shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane. Në këtë kohë, një shqetësim shtesë ishte ideja për krijimin e një province autonome në Maqedoni, të cilën mund ta shfrytëzonin bullgarët për të minuar pretendimet serbe dhe greke. Një provincë do t’i jepte mundësi edhe Austro-Hungarisë që të zgjeronte zonën pushtuese, duke përfshirë Sanxhakun e Novi-Pazarit deri në Mitrovicë dhe ndoshta edhe deri në Shkup. Në këtë mënyrë Serbisë do t’i mbylleshin rrugët e depërtimit deri në Adriatik. E dyta, përballë pretendimeve aksioniste bullgare në lindje dhe ekspansionit austro-hungarez në perëndim, shteti serb angazhohej për konservimin e gjendjes në Vilajetin e Kosovë dhe në Maqedoni derisa të nxirrte koncesione dhe të mbronte interesat e saj në kontekstin e thellimit të antagonizmave ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë.

Austro-Hungaria dhe Rusia në betejë për hegjemoni në Ballkan