Xhudoja, krenaria e Kosovës
Anton Cena me dekada bashkëjeton me sportin e xhudos. Fillimisht si xhudist e pastaj edhe si trajner. Aktualisht është trajner i klubit “Polici” nga Prishtina.
Ai viteve të fundit shquhet edhe me rezultate të jashtëzakonshme si xhudist veteran, duke e përfaqësuar Policinë e Kosovës në garat botërore.
Cena thotë se sportin e xhudos e ka dashur më shumë se çdo sport tjetër.
“Karrierën time në xhudo e kam filluar në vitin 1974, në fillim kam filluar me sportin e karatesë meqë e gjithë familja ime janë marrë me ketë sport. Karateja si sport nuk më ka pëlqye dhe jam kthy në xhudo. Që nga viti 1975 jam përfshi në xhudo deri më tani, në fillim ky sport ka qenë i vështirë. Karrierën e kam fillu tek trajneri Zef Sinan e që më pas e kam vazhduar tek Syjleman Kuka. Më pas e kam vazhduar shkollën e policisë, me fillimin e trazirave në Kosovë kam shku në Kroaci më pas kam ik në Belgjikë ku asnjëherë nuk jam ndal nga ky sport”, thotë Cena.
58-vjeçari me t’u kthyer përfundimisht në Kosovë nisi karrierën e tij si trajner i xhudos.
“Në vitin 1991 kam qenë përfaqësues i ish Jugosllavisë, filloj lufta pastaj kam përzgjedh që të lë xhudon dhe me filluar në jetën private me familje në Belgjike. Në vitin 2000 jam kthy në Kosovë dhe që nga atëherë e kemi hap klubin e xhudos polici në kryeqytet. Në arena ndërkombëtare jam 3 herë kampion Evrope, 3 herë kampion bote për polici, zjarrfikës, hetues dhe doganier. Ndërsa për veteran 6 vite kam qene i Evropës dhe 6 vjet veteran i botës”, tha ai.
Ai tregon të mirat shëndetësore dhe fizike që sjell ky sport. Tregon se xhudon e ka trashëguar edhe tek fëmijët e tij.
“Dallimi mes xhudos dhe sporteve të tjera është se xhudo është mjaftë sport kompleks ka të bëjë më shumë përgatitje fizike, teknike, taktike. Sporti i xhudos mund të them lirisht është i vetmi sport në Kosovë që e ka vetë njohur Kosovën në mbarë botën. Sportin e xhudos e kam pas për zemër dhe e kam për zemër ketë sport e kam trashëguar edhe tek fëmijët dhe tani janë bërë 5 mjeshtër të xhudos në familjen time. 4 kemi mbet në Prishtine ndërsa të 5 e kemi dhënë tek trajneri i xhudos Driton Kuka”, deklaroi Cena.
Për Cenën, Kosova radhitet me sukseset e xhudistëve nga Japonia. Ai tregon se të huajt kërkojnë që ta vizitojnë Kosovën nga fakti i arritjeve në këtë sport.
“Sporti i xhudos në Kosovë e ka marrë një hov jashtëzakonisht të madh mund të them tani që jemi konkurrent edhe me themeluesit e xhudos Japoninë. Sepse në çdo garë është me e mira në botë. Me ketë rezultatet që kemi jemi krahas me Japonin. Nga të huajt trajner e xhudist kërkohet që të vizitohen klubet sportive të xhudos në Kosovë”, tha Cena.
Xhudo ndihmon drejt edukimit të fëmijëve, thotë trajnerja e xhudos për fëmijë, Linda Cena.
“Prej moshës 8 vjeçare kam fillu me sportin e xhudos. Zakonisht preferohet prej moshën 4 vjeçare mu marrë me xhudo. Nga xhudo jam shkëput që 14 vjet dhe aktualisht jam trajnerë dhe refere e xhudos për fëmijë. Prej fillimit kur kam fillu me u marrë me fëmijë ka qenë lehtë, tash rrjetet sociale lojërat nëpër telefona në llaptop janë duke i bërë fëmijët më të vështirë për me punu më ta, janë pak të padëgjueshëm por kur vinë në xhudo i mësojmë disiplinë”, thotë Linda Cena.
Xhudistët e rinj thonë se Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova janë inspirimi më i mirë për t’u marrë me këtë sport teksa benefitet janë prej më të ndryshmeve.
Bekim Salihu, trajner i xhudos, thekson se financimi është sfida e vetme që ballafaqohet ky sport.
“Vështirësi në xhudo ka si në çdo sport duhet me marrë seriozisht, duhet me ushtru ndërsa të mirat janë të shumta. Unë jam 53 vjeçar por ndihem si me i pas 25 nuk i kam problem as hedhjet as ramjet jeta është shumë më e lehtë. Sfida kem shumë duke fillu nga ana financiarë e që shteti nuk ndihmon në këtë sport”, thotë Salihu.
Trajneri Anton Cena shpeshherë pranon mysafirë të klubeve të tjera në ekipin e tij të xhudos.
Mal Musa është trajner i xhudos nga Ferizaj. Ai tregon se sporti i xhudos largon shprehitë negative. Sipas tij, bashkëpunimi mes grupeve avancon më shumë sportin e xhudos.
“Që 13 vite jam xhudist dhe që një vit jam trajner i xhudos. Sot jem mysafir tek Anton Cena dhe çdo herë kem bashkëpunim të mirë me të. Xhudo për mua ka qenë evidentimi i vetive të këqija dhe interesimi i sportit”, tha Musa.
Xhudo është sporti që solli çdo medalje e trofe ndërkombëtar. Kosova ka tri medalje të arta olimpike falë Majlinda Kelmendit, Distria Krasniqit e Nora Gjakovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.