Refugjatja ukrainase që gjeti punë në Prishtinë
Lufta në vendlindjen e saj e detyroi ukrainasen Mariya Kudyrko të marrë rrugën jashtë kufijve të vendit.
Me dy fëmijët e saj ajo u nis drejt Kosovës, pas ftesës së disa të afërmve këtu.
Asaj i kujtohen mendimet e para që i erdhën posa e kuptoi se do të largohet nga Vinnitsa, qyteti ku jetonte.
Për Kosovën kishte dëgjuar gjatë kohës kur vetë Kosova ishte në luftë, e para se të merrte rrugën për këtu u interesua për gjendjen në të cilën Kosova është tash.
Mbrapa i la shumë gjëra, duke përfshirë edhe punën të cilën për 6 vjet me radhë e ushtroi në Ukrainë, si artiste e qerpikëve.
E, nevoja për të holla e shtyu që të kërkojë punë posa arriti në Prishtinë. Atë e gjeti në një studio estetike.
“Kur filloi lufta në Ukrainë, unë mendimet e para i kisha se ku të shkoja, dhe kanë qenë të afërm të mi në Kosovë që më kanë ftuar dhe kështu vendosa të vij në Kosovë, dhe nuk kam pasur zgjidhje. Nuk kam qenë kurrë më parë në Kosovë, por kam lexuar lajme gjatë kohës kur Kosova ka qenë në luftë. Kështu edhe para se të vija jam interesuar se si është situata këtu. Njerëzit këtu janë shumë të mirë dhe më ndihmojnë në mënyra të ndryshme kur e kuptojnë që kam ardhur nga Ukraina. Standardi i jetesës si këtu edhe në Ukrainë është i njëjtë. Problem të vetëm këtu e kam gjuhën, nuk mund të adaptohem me gjuhën shqipe e as anglishten nuk e flas dhe nuk e kuptoj”, u shpreh Kudyrko.
Thotë se ka 6 vjet përvojë në rregullimin e qerpikëve, por në momentin kur është larguar nga Ukraina nuk ka menduar për punë.
“Është shumë normale që kur njeriu detyrohet të largohet na vendi i tij, për shkak të gjendjes së luftës, mbrapa i lë të gjitha, e edhe punën. Më është dashur të kërkoj punë sapo kam ardhur këtu nga nevoja për të holla dhe për ta mbajtur familjen. Punën e kam gjetur nëpërmjet të afërmve që më kanë mirëpritur këtu”, tha ajo.
Puna në “Red Beauty Corner” po i ndihmon shumë rrëfen ajo, jo vetëm për mbulimin e shpenzimeve të jetesës në Kosovë, por edhe kalimin e kohës.
Kryesisht me klientët e shumtë të cilët qoftë edhe për pak orë e bëjnë që ta harrojë gjendjen në të cilën është vendlindja e saj.
“Pronarja e studios ku tash po punoj më ka pritur shumë mirë dhe më ka dhënë mundësinë të punoj menjëherë me të gjitha kushtet dhe me të gjitha përfitimet e mia, në mënyrë që të mund të kujdesem edhe për fëmijët dhe ta kaloj ditën më lehtë. Të gjithë më kanë ndihmuar dhe mirëpritur, nuk kam hasur në diçka negative këtu në Kosovë. Dhe që në ditët e para të punës kam filluar të kem shumë klientë. Me një fjalë mund ta përshkruaj këtë, nëse njeriu dëshiron të mësojë, mëson gjithçka, vetëm të duhen vullneti e koha për t’u mësuar”, shtoi ukrainasja.
Ajo nuk mund të thotë se çfarë do të ndodhë më vonë. Thotë se jetës nuk i dihet, por ajo që di është se dëshiron të kthehet në shtëpi sa më shpejt.
“Punën që e bëj e dua shumë dhe jam shumë e lumtur që kam klientë, dhe për disa momente më bëjnë të harroj se çfarë është duke ndodhur në Ukrainë. Kur jam vetëm, çdoherë u kthehem lajmeve dhe situatës në Ukrainë, por puna ime mbetet ajo që e dua më së shumti”, pohoi ajo.
Arta Mazreku është ajo që i ka ofruar punë ukrainases.
Mazreku tregon se estetistët në Kosovë çdoherë e kanë marrë shembull punën e atyre ukrainas.
Është ende më e veçantë që të punojmë bashkë, tregon ajo.
Mazreku e ka organizuar edhe një kurs, ku Kudyrkon do të mund t’i ndajë njohuritë e saj me të tjerët marrë parasysh se është master i këtij profesioni.
Ka tash më shumë se një muaj prej kur Kudyrko e ka filluar punën, e tashmë klientët vijnë veçanërisht për t’i marrë shërbimet që ajo i ofron.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.