Sport

Prishtina e Rahoveci në finalen e madhe

Prishtina e Rahoveci në finalen e madhe
 

Skuadra që nuk ka pësuar asnjë humbje këtë edicion do të sfidohet në finale të plejofit nga skuadra që për herë të parë arrin në këtë fazë. Bëhet fjalë për Z Mobile Prishtinën e Rahovecin. Të dy këto skuadra të dielën e kanë siguruar finalen e plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Z Mobile Prishtina në një ndeshje të fortë në Prizren, që mblodhi fare pak shikues, ka fituar ndaj kampionit të edicionit të kaluar, Bashkimit, për të zënë vend në finale. Më vonë të dielën Rahoveci ka fituar në shtëpi ndaj Golden Eagle Yllit, për t'iu bashkuar Prishtinës në finalen e madhe.

Në Rahovec palestra ishte e stërmbushur me shikues, ndërsa pati festë të madhe në fund të ndeshjes që u fitua nga skuadra vendëse me shifrat 84:70. Rahoveci kishte fituar edhe dy ndeshjet në Suharekë dhe kështu me rezultatin 3:0 ka kaluar në finale. Në çerekfinale Rahoveci kishte kaluar Ponte Prizrenin, pasi përmbysi epërsinë 1:0 të prizrenasve.