Në stadiumin “Bajram Aliu”, Drenica shënoi fitore të thellë përballë Hajvalisë me rezultat, 4:0.
Ekipi nga Skënderaj kështu i shmanget edhe më shumë zonës së barazhit, e nga ana tjetër, ekipi nga paralagja e Prishtinës, tashmë edhe matematikisht është përshëndetur nga elita e futbollit tonë.
Në pjesën e parë, Drenica pati një mori rastesh por që asnjëra nuk u shndërrua në gol.
Në minutën e 10-të, Kreshnik Uka i drenicasve tentoi me këtë gjuajtje, por e qëlloi vetëm shtyllën pingule, raporton KTV.
Po i njëjti lojtar nuk arriti të shënonte pesë minuta më pas edhe pse ishte i vetëm me portierin.
Në vazhdim pati rast të dyshimtë për vendësit por që gjyqtari anësor sinjalizoi pozitë jashtë loje, e më pas Taulant Dajaku, Granit Arifaj, e Dajaku përsëri ishin në pozita të mira për të realizuar, por pa sukses.
Më meritori që Hajvalia nuk pësoi në pjesën e parë ishte i disponuari në portë, Armend Miftari, i cili arriti ta presë edhe këtë tentim të Ukës në minutën 41.
Drenica me të hyrë në pjesën e dytë arriti të shënonte dy gola të shpejtë.
Të rinjtë e Hajvalisë u zunë në befasi në minutën e 46-të, kur Dajaku shënoi një gol mjaftë të bukur me kokë.
Dy minuta më pas, Kreshnik Lushtaku depërtoi mirë nga krahu, asistoi për sulmuesin Granit Arifaj, i cili nga afërsia ishte i pagabueshëm për 2:0.
Mysafirët ishin të pafuqishëm për të reaguar madje për 90-të minuta, vetëm dy herë arritën që të gjuanin brenda kornizës së portës.
Në minutën e 82-të, Edison Kqiku depërtoi në zonë dhe u tërhoq nga prapa prej mesfushorit Dukagjin Gashi, por për gjyqtarin Alban Shala, çdo gjë ishte e rregullt.
Katër minuta para fundit, zëvendësuesi Hysen Tahiri depërtoi në zonë dhe pasoi për Lushtakun, i cili e plason topin në rrjetë.
Në minutën e dytë të lojës shtesë, Taulant Dajaku gjuajti fuqishëm nga distanca, tentimin e të cilit nuk e devijoi si duhej Miftari, e aty u gjind Arifaj që e shtyu topin në rrjetë për rezultatin 4:0 dhe për golin e 14-të sezonal.
Në xhiron e 30-të, Drenica udhëton te Gjilani, ndërsa Hajvalia e pret Ferizajn.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.