Liqeni i Shkodrës bashkon sportistë nga gjithë rajoni

Liqeni i Shkodrës bashkon sportistë nga gjithë rajoni

09 September 2019 14:51

Shiroka është pika e vetme turistike në pjesën shqiptare të Liqenit të përbashkët të Shkodrës i cili, për vlerat e biodiversitetit, është shpallur Zonë e Mbrojtur Ramsar.

Thuajse i braktisur pas vitit 1990, kohët e fundit Shiroka po kthehet në një prej destinacioneve më të pëlqyera të turizmit, kjo në saje të nismave të shoqatave joqeveritare, Bashkisë, Komunitetit Europian dhe Qeverisë Shqiptare. Pjesë e këtyre përpjekjeve është zhvillimi edhe këtë vit i garave “Triathlon Labeat”, një aktivitet që bashkoi sportistë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Trajneri i ekipit të notit, Kolë Shiroka, thotë se veprimtari të tilla zhvillojnë jo vetëm sportin, por edhe turizmin.

"Një triathlon që zhvillohet për herë të gjashtë në Shkodër. Sigurisht, është kthyer në traditë. Shikojmë pjesëmarrje shumë masive nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova, Tirana, Shkodra, Durrësi dhe gjithë qytetet e Shqipërisë. Besoj se duhet të shtrihet dhe të financohet, për arsye se ka mbetur në kuadër të një sporti inisiativash dhe vullnetarësh ku Klid Hoti po jep maksimumin. Duhet të mbështetet, sigurisht nga Komiteti Olimpik, Qeveria Shqiprare, Bashkia Shkodër, etj. që të marrin përmasa më të gjëra."

Për organizatorët dhe pjesëmarrësit në garat e triathlonit, pika turistike e Shirokës, në bregun shqiptar të Liqenit të Shkdorës, ofron mundësi të shumta për zhvillimin e sporteve dhe turizmit, por kërkohet edhe mbështetja e institucioneve.

Organizatori i “Triathlon Labeat”, Klid Hoti, thotë se: “ Shiroka ofron qindra mundësi. Një nga mundësitë eshtë ky triathlon që mund të bëhet një ose dy herë në vit. Ajo që duhet është pjesëmarrja dhe, sigurisht, mbështetja e bashkisë, të cilën e kemi pasur. Por duhet të kalojmë tek niveli tjetër, ai profesional, me jo njëqind pjesëmarrës, por me njëqind e pesëdhjetë, dyqind apo më shumë."

Pjesëmarrës në veprimtaritë e zhvilluara në pikën turstike të Shirokës ishin edhe përfaqësueit e federatës së çiklizmit dhe triathlonit të Kosovës, të cilët vlerësojnë nevojën e një bashkëpunimi edhe më të gjërë mes sportistëve të rajonit.

Drejtuesi i Federatës së sapokrijuar të triathlonit në Kosovë, Vedat Makolli, thotë se me shoqatën e triathlonit në Shkodër kanë synime të përbashkëta.

"Pretendojmë të ndihmojmë njëri-tjetrin, të ndihmojmë për krijimin e federatës shqiptare të triathlonit dhe të marrim pjesë edhe në garat ndërkombëtare. Pse jo, të fitojmë edhe medalje ndërkombëtare duke e ditur se triathloni është një sport në rritje, që radhitet si sporti numër katër në botë dhe që është duke u zhvilluar me ritme shumë të shpejta."

Liqeni i përbashkët i Shkodrës, i cili ndahet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, është më i madhi në rajonin e Ballkanit, me një larmi të madhe të biodiversitetit. Në përpjekje për të zhvilluar bregun e liqenit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit nisi një vit më parë punën për rikonstruksionin e sheshit të Shirokës por, për shkak të mosmarrëveshjeve me Bashkinë e Shkodrës, punimet janë ndërprerë disa herë duke u zgjatur tej afatit të përcaktuar, që ishte muaji prilli i këtij viti/VOA.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme