Challandes: Duhet ta lë punën nëse them se s’mund ta mposhtim Anglinë

Challandes: Duhet ta lë punën nëse them se s’mund ta mposhtim Anglinë

09 September 2019 20:32

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka thënë se do të duhej të linte punën si trajner nëse para ndeshjes me Anglinë thotë se ekipi që ai udhëheq nuk mund të fitojë.

Dy kombëtaret përballen të martën në Southampton në kuadër të Grupit A kualifikues për Euro 2020. Challandes, në konferencën për media, ka thënë se e di sa e vështirë do të jetë përballja me Anglinë, por ka shprehur besimin në lojën e lojtarëve të tij.

“Jemi Kosova dhe jemi këtu për t’u përballur me një nga ekipet më të mira në botë. Kemi bërë lojë të mirë ndaj Çekisë. Ishte shumë e vështirë. Kam parë ndeshjen e Anglisë ndaj Çekisë. Nënkupton që do të jetë për ne ndeshje jo e lehtë. E di këtë. Për mua si trajner nuk është e lehtë të jap vlerësim apo parashikim. Nëse them se po vijmë për fitore, shumë njerëz do të mendojnë se po e teproj. Nëse them para ndeshjes se s’mund të fitojmë ndaj Anglisë, duhet të ndryshoj punë”, ka thënë ai.

Në Grupin A, Anglia prin me nëntë pikë pas tri ndeshjeve. Kosova është e dyta me tetë pikë pas katër ndeshjeve. Çekia është e treta me gjashtë, ndërsa Mali i Zi e Bullgaria mbyllin grupin me nga dy pikë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme