Kosova sulmuese ofron ajër të freskët Foto: Reuters

Kosova sulmuese ofron ajër të freskët

12 September 2019 11:17

Kosova ishte si ajër i freskët i detit në bregdetin jugor të Anglisë të martën mbrëma, ku ndonëse pësoi humbje 5:3, me mënyrën e paraqitjes ka bërë që shumë njerëz të besojnë se kjo skuadër mund të sigurojë kualifikimin në "Euro 2020".

E mbështetur nga rreth dhjetë mijë tifozë që ishin në tribunat e stadiumit "St Mary's" të Southamptonit, Kosova i shkaktoi një frikë të vërtetë Anglisë, përcjell Koha Ditore shkrimin e Reuters.

Pas vetëm 35 sekondave kaloi në epërsi dhe pasi pranoi pesë gola në pjesëlojën e parë, Kosova u rikuperua për ta fituar pjesëlojën e dytë me rezultatin 2:0.

Në fund të ndeshjes Kosova u duartrokit prej të gjithëve në stadium, përfshirë edhe tifozët anglezë që vlerësuan lart paraqitjen e guximshme dhe lojën sulmuese të ekipit të ri të trajnerit zviceran Bernard Challandes.

Shumica e lojtarëve që ishin pjesë e ekipit janë të lindur në vendet e tjera apo janë larguar nga Kosova si fëmijë gjatë luftës së përgjakshme me Serbinë gjatë viteve 1998-1999.

Kosova, që u bë anëtare e organeve qeverisëse të futbollit vetëm në vitin 2016 dhe pati një përpjekje të dështuar për t'u kualifikuar në Botërorin e vitit 2018, ende renditet në pozitën e 120-të të ranglistës së FIFA-s, por është e destinuar për t'u ngjitur shumë më lart.

Disa mund të sugjerojnë se performanca e Kosovës ndaj Anglisë ishte naive, duke zgjedhur që të shkonte "dhëmbë për dhëmbë" me ekipin anglez të shfrenuar, që kishte realizuar 14 gola në tri ndeshjet kualifikuese të Grupit A, kundër Çekisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Por trajneri Challandes tha se ai nuk do të kishte mënyrë tjetër të qasjes në ndeshje, duke dashur të vazhdojë me futbollin sulmues që deri para këtij dueli i kishte dërguar në pozitën e dytë në grup.

Kur mesfushori Berisha shënoi golin e epërsisë në minutën e parë, tifozët e Kosovës ishin në tokën e ëndrrave dhe ata ende po e përkrahnin ekipin e tyre që të sulmonte në pjesëlojën e dytë, edhe pse në të parën pranoi pesë gola....(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme