Allegrit nuk po i ngutet t’i kthehet punës Foto: Reuters

Allegrit nuk po i ngutet t’i kthehet punës

07 December 2019 09:19

Ish-trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka thënë se do të presë deri në fund të këtij edicioni përpara se të bëjë një kthim në menaxhim të ndonjë skuadre, pavarësisht se emri i tij është i lidhur me Bayern Muenchenin e Arsenalin gjatë javëve të fundit.

Allegri, 52-vjeçar, në fund të edicionit të shkuar u largua nga Juventusi edhe pse me ekipin italian kishte kontratë deri në vitin 2021. Allegri në krye të Juventusit qëndroi për pesë edicione dhe fitoi pesë herë rresht titullin e kampionit në Serie A. Në fakt, Juventusi këtë sukses e ka arritur në tetë edicionet e fundit dhe është ekipi më i suksesshëm në Itali, shkruan sot Koha Ditore.

“Nuk e di nëse vendimi për t’u larguar nga Juventusi ishte i ngutshëm apo jo, ndonëse nuk dua të flas për këtë për shkak se tashmë i takon të shkuarës. Në momentin që vendosa të largohesha, deklarova se do të pauzoj për një vit, pasi kisha nevojë për një pushim pas pesë viteve intensive te një ekip si Juventusi që gjithmonë është kërkues”, ka deklaruar Allegri. “Kam dëgjuar edhe unë zëra që emri im po përmendet në disa ekipe, por mua askush nuk më ka kontaktuar, meqë nuk jam i interesuar të kthehem tash. Dua ta pres përfundimin e këtij edicioni dhe pastaj të kthehem i freskët e i gatshëm për sfida të reja”.

Përpara se ta merrte drejtimin e Juventusit në vitin 2014, katër vjet kishte qëndruar në krye të Milanit, me të cilin ekip ka edhe një titull kampioni të fituar. Ka punuar edhe te skuadrat e tjera, si Cagliari, Sassuolo, Grosseto e SPAL.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme