Behrami i gatshëm t’i kthehet futbollit në Itali

Behrami i gatshëm t’i kthehet futbollit në Itali

10 December 2019 08:44

Mesfushori Valon Behrami është i vendosur t’i kthehet futbollit dhe në janar të vitit të ardhshëm pritet ta vazhdojë karrierën në Itali. Në një intervistë për mediumet italiane, Behrami ka thënë se nuk ka rëndësi nëse do të luajë në Serie A apo B.

E rëndësishme për të është që të jetë pjesë e një klubi me projekt serioz. Aktualisht, është futbollist i lirë, pasi muaj më parë ka shkëputur kontratën me ekipin nga Zvicra, Sion. Për Sionin këtë edicion ka regjistruar vetëm pesë paraqitje. 34-vjeçari ka pranuar se ka oferta jo vetëm nga ekipet italiane. Megjithatë, është i vendosur për të vazhduar karrierën në Itali, shtet ku edhe do ta mbyllë atë për shkak të vajzave të tij që gjenden në qytetin e Bergamos.

Behrami insiston se ende ka dëshirë të madhe për të luajtur dhe thotë se nga Sioni u largua pasi ekipi zviceran nuk mbajti premtimet që i kishte dhënë.

“Vetëm për këtë arsye, pavarësisht se kisha një pagë të mirë dhe kontratë dyvjeçare, e përfundova kapitullin te Sioni. Dua të ndihem i gjallë dhe të shijoj sërish futbollin. Do të filloj sërish, por dua një klub me infrastrukturë të mirë ku mund të stërvitem dhe të djersitem ashtu siç kam dëshirë”, është shprehur Behrami, në intervistën e dhënë për “Tuttomercatoweb” të hënën.

(Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme