Shaqa rikthehet nga lëndimi, në dispozicion kundër Tottenhamit Foto: Reuters

Shaqa rikthehet nga lëndimi, në dispozicion kundër Tottenhamit

11 January 2020 11:36

Xherdan Shaqiri është rikthyer në stërvitje të plotë para ndeshjes së të shtunës kundër Tottenham Hotspurit, por Liverpooli do të jetë pa James Milnerin dhe Naby Keitan kundër skuadrës së Jose Mourinhos.

Jurgen Kloppi ka konfirmuar në konferencën e tij para ndeshjes se lëndimet e muskujve kanë bërë të Milneri dhe Keita të mos jenë në dispozicion për udhëtimin në Londër, bashkë me Dejan Lovrenin (lëndim në muskul) dhe Fabinhon (lëndim në kyçin e këmbës), të cilët pritet të nisin stërvitjet e plota javën e ardhshme.

Shaqiri, megjithatë, pritet të jetë në dispozicion të plotë pas tri ndeshjeve mungesë si pasojë e një lëndimi të vogël muskular, ndërsa Joel Matipi po bën progres pozitiv pas lëndimit të pësuar në gju.

“Shaqiri është stërvitur normalisht që kur është rikthyer. Dejani dhe Fabinho presim të kthehen në stërvitje të plotë javën e ardhshme”, tha Kloppi, transmeton Koha.net.

“Këto janë lajme të mira”, u shpreh më tej ai.

Ndërkaq, Spurs do të jenë pa Harry Kanen të shtunën pasi sulmuesi pësoi një lëndim ndeshjen e fundit. Skuadrës i mungojnë edhe Moussa Sissoko, Hugo Lloris, Ben Davies dhe Tanguy Ndombele, por Danny Rose është rikthyer në stërvitje pas problemeve me pulpë të këmbës.

Ndërkaq Mourinho u tha mediave se Tottenhami do të përballet “kundër skuadrës më të mirë në garë”.

“Janë skuadra më e mirë në Premier Ligën tonë dhe natyrisht se është sfidë e madhe për ne të luajmë kundër tyre”, tha ai.

Mourinho tha se Kloppi di të jetë i paparashikueshëm.

“Ai mund të luajë me Firminon si 9-sh, ai mund të luajë me Firminon si 10-sh, ai mund të luajë me Salahun e Manen anash, ai mund të luajë me Salahun dhe Manen si sulmues dhe Firminon ta kthejë mbrapa, ai mund të luajë me Shaqirin dhe të vendosë të ndryshojë shumë gjëra, mund të luajë edhe me Origin”, tha tekniku portugez.

“Ai mund të bëjë shumë gjëra që mund të jenë të paparashikueshme. Prandaj është e vështirë të luash kundër tyre sepse kanë kaq shumë potencial për këtë paparashikueshmëri”.

Ndeshja kryesore e kësaj jave zhvillohet sot nga ora 18:30 në Stadium të Tottenhamit ku do të zbresë skuadra e pamposhtur ende në Premier Ligë, Liverpooli.

Liverpooli mban pozitën e parë tabelare me 58 pikë nga 20 ndeshje, kurse Tottenhami gjendet në pozitën e 7-të me 30 pikë pas 21 ndeshjeve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme