“Opozita” bojkoton Kuvendin e FFK-së, delegatët zgjedhin anëtarët e Komitetit Ekzekutiv

Tahir S. & Liridon H. 27 January 2020 16:08
19:23

Me tensione e akuza është përshkuar Kuvendi zgjedhor i Federatës së futbollit të Kosovës, e ku pavarësisht shumë kundërshtimeve u zgjodhën anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Në Kuvendin e mbajtur të hënën pasdite, i cili zgjati më shumë se dy orë, më të zëshmit ishin trajneri i Llapit, Tahir Batatina dhe kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka, të cilët kërkuan që të ndryshohet statuti dhe patën edhe akuza në drejtim të krerëve të Federatës së futbollit të Kosovës, raporton KTV.

Pas numërimit të delegatëve, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, kërkoi votëbesim, të cilin e kundërshtuan një pjesë e tyre.

Kritika pati edhe kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi dhe i Ballkanit, Arsim Kabashi.

Pas dy orësh, kryetari Agim Ademi kërkoi që të hedhet në votim pika e vetme e rendit të ditës, zgjedhja e anëtarëve të rinj të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Kjo u kundërshtua nga përfaqësuesit e Llapit, Trepçës ’89, Ballkanit, Prishtinës e Drenicës, të cilët e lëshuan Kuvendin.

Delegatët e pranishëm me 37 vota për zgjodhën anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv: Bakir Burri, Predrag Joviq, Mirsad Qollaku, Iljaz Mjaku, Naser Ajeti, Agim Nura, Xhelal Broja, Vjollca Krasniqi, Ismajl Ajeti dhe Flamur Bunjaku, të cilët kanë mandat katërvjeçar.

I gjithë procesi zgjedhor është monitoruar nga i deleguari i FIFA-s, Oliver Young dhe i UEFA-s, Dennis Bastari.

16:08

Përplasje në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së, Ademi kërkon mocion votëbesimi pa u votuar rendi i ditës

Pa u votuar rendi i ditës në Kuvendin Zgjedhor për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, pati përplasje mes kryetarit Agim Ademi dhe disa prej delegatëve të klubeve të Superligës.

Ademi kërkoi mocion votëbesimi nga delegatët e pranishëm në Kuvend, por kundërshtimet ishin të mëdha nga delegatët e Llapit, Trepçës ‘89, Ballkanit e disa të tjerave.

Pas shumë diskutimeve, kreu i FFK-së nuk u lejua të kërkojë mocion votëbesimi nga delegatët për mandatin e tij.

Më i zhurmshmi ishte trajneri i Llapit, Tahir Batatina, që insistonte se në Kuvend nuk janë ftuar për një mocion të tille, por për zgjedhjen e anëtarëve të KE të FFK-së.

Të pranishëm në këtë kuvend janë edhe përfaqësues të FIFA-s dhe UEFA-s që patën nga një fjalë rasti para se të fillonin punët e Kuvendit.

Oliver Jung përfaqëson FIFA-n kurse Denis Bastari UEFA-n.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme