Gjysma e Superligës nuk e njeh Komitetin Ekzekutiv të FFK-së

Gjysma e Superligës nuk e njeh Komitetin Ekzekutiv të FFK-së

Tahir Sopi Tahir Sopi 29 January 2020 08:48

Kuvendi Zgjedhor për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv (KE) të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) është mbyllur të hënën me shumë pakënaqësi, e ato vetëm sa janë thelluar një ditë më vonë.

Të martën, përfaqësues të gjashtë klubeve të Superligës kanë mbajtur një takim dhe kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka, ka thënë për gazetën se nuk njohin përbërjen aktuale të KE-së.

Anëtarët e këtyre klubeve elitare edhe në ditën e Kuvendit lëshuan punimet para se të votohej për anëtarë të KE-së. Ata po insistojnë që gjithçka të kthehet në pikën zero. Për anëtarët e KE-së, që kanë marrë mandat 4-vjeçar, kanë votuar 37 prej 55 delegatëve të pranishëm në kuvend. E FFK-ja ngul këmbë se gjithçka është në rregull, shkruan Koha Ditore.

Klubet e pakënaqura me procesin janë: Llapi, Trepça ’89, Ballkani, Prishtina, Drenica dhe Ferizaj.

Zeka ka thënë se ditëve në vijim do të diskutohet për hapat e mëtutjeshëm dhe nuk ka përjashtuar mundësinë që këto ekipe të bojkotojnë garën në Superligë, nëse kërkesa e tyre nuk përfillet. Sipas Zekës, gjithçka duhet të kthehet në pikën zero dhe në Komisionin Ekzekutiv të FFK-së të inkuadrohen drejtuesit e skuadrave elitare dhe jo persona, sipas tij, që vetëm po e degradojnë futbollin kosovar.

“Ne si klube të pakënaqura tashmë kemi marrë një vendim, nuk e njohim këtë Komitet Ekzekutiv të FFK-së. Do të shohim se çfarë hapash do të ndërmarrim në ditët në vazhdim. Shpresoj që të mos e bien punën ta bojkotojmë Superligën dhe pastaj le të luajnë ata ndërmjet vete. Jemi për ndryshime statutare dhe duam që gjithçka të kthehet në pikën zero. Nuk jemi për dhunë dhe nuk duam të prishim imazhin e futbollit, por thjesht po kërkojmë që ne si investitorë të klubeve që jemi të futemi në Komitetin Ekzekutiv për një mbarëvajtje më të mirë”, ka insistuar Zeka. “Është kërkesë e klubeve Trepça ’89, Llapi, Prishtina, Ballkani, Ferizaj e Drenica”.

Ai ka paralajmëruar se mund të ketë pasoja për imazhin e futbollit nëse krerët e FFK-së nuk reflektojnë mbi kërkesat e klubeve... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme