Llapi e Nikli kanë rastin e fundit për të mbajtur hapin Foto: LLapi FC/ Facebook

Llapi e Nikli kanë rastin e fundit për të mbajtur hapin

22 February 2020 08:29

Llapi dhe Feronikeli kanë mundësinë e fundit për të mbajtur hapin me kreun e tabelës në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Këto skuadra do të përballen ndërmjet vete në kuadër të xhiros së 19-të të elitës së futbollit kosovar.

Ndeshja mes Llapit dhe Feronikelit, do të zhvillohet të shtunën (sot) në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës, me fillim prej orës 13:00. Si Llapi, ashtu edhe Feronikeli e ka parasysh rëndësinë e këtij takimi, që edhe është derbi i kësaj xhiroje. Të dyja skuadrat duan ta shfrytëzojnë këtë duel për të kapur “trenin e fundit”, duke paralajmëruar se do të dalin në fushë për fitore. Llapi e nisi pjesën pranverore me barazim pa gola, në udhëtim kundër Dukagjinit, derisa Feronikeli luajti 1:1 si mysafir i Ferizajt. Feronikeli është i pesti në tabelë me 28 pikë, tri më shumë se Llapi që renditet i gjashti. Si në taborin e Llapit, ashtu edhe atë të Feronikelit, kanë insistuar se opsion të vetëm e kanë fitoren në këtë derbi.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, të premten ka thënë se ekipi i tij në ndeshjen ndaj kampionit në fuqi do të kërkojë pikët e plota, ndonëse ka pranuar se aspak nuk do të jetë lehtë. Llapi në këtë ndeshje nuk ka asnjë mungesë dhe do të futet me formacionin më të mirë të mundshëm, sipas Batatinës.

“Na duhet patjetër rezultati pozitiv, do të thotë fitorja. E them këtë për shkak se ky është opsioni ynë i vetëm në përballjen me Feronikelin. E kemi parasysh se na pret një punë e vështirë për të arritur këtë synim, por jemi të gatshëm për këtë përballje. Duhet ta mbajmë hapin dhe për këtë arsye, pres një paraqitje të mirë të ekipit tim. Gjithashtu, besoj në një ndeshje të mirë në përgjithësi me të cilën do të kënaqen tifozët e pranishëm”, është shprehur Batatina.

Edhe Feronikeli do të udhëtojë i kompletuar në Podujevë për t’u përballur me Llapin, ndërsa mbrojtësi i krahut të djathtë, Përparim Islami, duke pranuar se ekipi nga Drenasi kërkon që trepikëshin e parë në pjesën pranverore, ta marrë pikërisht në një ndeshje derbi.

“Për ne është një ndeshje e radhës, pasi në secilën ndeshje dalim për të luajtur mirë dhe për të shënuar fitore. Dihet që Llapi ka një ekip të mirë, por ne shkojmë atje për tri pikë për shkak se jemi paksa mbrapa dhe nuk na lejohen gabimet tjera nëse duam të mbajmë hapin me kreun. Është një derbi dhe realisht pres në përgjithësi të zhvillohet një ndeshje e fortë”, është shprehur Islami.

Krahas këtij derbi, të shtunën (sot) luhet edhe një ndeshje tjetër që nis në të njëjtën kohë – 13:00. Në stadiumin “Bajram Aliu” të Skenderajt, skuadra e Drenicës e pret Prishtinën. Ndërkohë, kjo xhiro do të mbyllet të dielën me tri ndeshje të tjera që janë në program dhe gjithashtu startojnë prej orës 13:00.

Superliga – XIX

E premte

Vushtrria – Drita 2:3

(Shënues: Fazliu 31’, Istrefi 61’ – Emini 18’, Vucaj 35’, Rexha 72’)

E shtunë (13:00)

Llapi – Feronikeli

(Arbitra: B. Kasumi, S. Berisha, E. Bicaj, V. Kastrati)

Drenica – Prishtina

(Arbitra: K. Vula, E. Zeqiri, J. Musolli, G. Shala)

E diel (13:00)

Ballkani – Ferizaj

(Arbitra: A. Shala, G. Hyseni, V. Kelmendi, T. Maloku)

Gjilani – Flamurtari

(Arbitra: S. Isufi, E. Baliqi, B. Këpuska, B. Ajeti)

Trepça ’89 – Dukagjini

(Arbitra: M. Bejtullahu, A. Ejupi, M. Berisha, V. Ibërdemaj

1. Drita 19 37

2. Ballkani 18 37

3. Prishtina 18 34

4. Gjilani 18 32

5. Feronikeli 18 28

6. Llapi 18 25

7. Drenica 18 24

8. Trepça ’89 18 23

9. Flamurtari 18 22

10. Ferizaj 18 19

11. Vushtrria 19 15

12. Dukagjini 18 9

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme