Mueller i gatshëm t’i tregojë Gjermanisë se çfarë po humbet Foto: AFP

Mueller i gatshëm t’i tregojë Gjermanisë se çfarë po humbet

24 February 2020 10:12

Një vit pasi u largua nga përfaqësuesja e Gjermanisë nga seleksionuesi Joachim Loew, sulmuesi anësor Thomas Mueller po dëshiron të dëshmojë vlerën e vet, shkruan agjencia AFP të hënën, transmeton Koha.net.

Ai të martën mbrëma në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve në udhëtim kundër Chelseat, po synon të tregojë se pse është aq i rëndësishëm për Bayern Muenchenin dhe po ashtu për Robert Lewandowskin.

Përkrah Erling Braut Haalandit, ylli i Bayernit, Lewandowski kryeson listën e shënuesve në Ligën e Kampionëve këtë stinor, me nga dhjetë gola.

Mueller u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes të së premtes, që Bayerni e fitoi 3:2 në Bundesliga ndaj Paderbornit. Në atë ndeshje Lewandowski shënoi dy herë. Mueller u la në bankinë për t’u pushuar.

Ylli polak Lewandowski është në formën më të mirë të karrierës, duke shënuar 38 gola në 32 ndeshje në të gjitha garat. Ai është më i lumtur kur e ka Muellerin përkrah.

“Është më e lehtë me Thomasin përkrah meje, ai më ndihmon shumë. Gjithmonë kemi një lojtar më tepër në zonë, kur ai luan. Unë kam më tepër hapësirë dhe nuk kam gjithmonë dy apo tre lojtarë kundër meje”, ka shtuar Lewandowski.

Nuk është koincidencë që Lewandowski është duke shënuar numrin më të madh të golave në karrierë, pikërisht në edicionin kur Mueller ka asistuar 14 gola në elitën gjermane.

Mueller 30-vjeçar është kthyer në formën e tij më të mirë, pas një serie të goditjeve që përjetoi në vitin 2019.

Muellerit, si dhe dy bashkëlojtarët tjerë të tij te Bayerni, Mats Hummels e Jerome Boateng, u informuan në mars se më nuk janë në plane të përfaqësueses së Gjermanisë, pasi seleksionuesi i Gjermanisë, Joachim Loew po shikon të rindërtojë skuadrën pas debaklit në Botërorin 2018.

Mueller, Hummels e Boateng ishin pjesë e Gjermanisë që fitoi Botërorin 2014 në Brazil.

Në vjeshtë, Muelleri e gjeti veten vazhdimisht në bankinë te Bayerni, për të krijuar hapësirë për Philippe Coutinhon, yllin brazilian që erdhi në formë huazimi nga Barcelona.

Kur Niko Kovaç u shkarkua nga posti i trajnerit të Bayernit në nëntor, trajneri i përkohshëm Hansi Flick e riktheu Muellerin në përbërjen startuese, shpesh në dëm të Coutinhos, dhe Muelleri ka lulëzuar.

Mueller ishte i shkëlqyer në fitoren 4:1 para disa ditëve kundër Koelnit, duke tërhequr mbrojtësit kundërshtarë për të krijuar golat për Kingsley Comanin dhe Lewandowskin, ndërsa Bayerni krijoi epërsi 3:0 pas 12 minutave.

Flick ndoshta është i mençur që po zgjedh Muellerin, që i ishte bashkuar Bayernit si i vogël në vitin 2000 dhe debutoi me skuadrën e parë në vitin 2009, pak para ditëlindjes së tij të 19-të.

Një shërbim aq i gjatë nënkupton se fjala e tij dëgjohet nga krerët e Bayernit dhe një Mueller i palumtur nuk është mirë për një trajner të Bayernit.

Marrëdhënia e tij me Pep Guardiolan u acarua pasi Mueller u la në bankinë për ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të vitit 2016, ku Bayerni pësoi në udhëtim ndaj Atletico Madridit në ndeshjen e parë.

Mueller ishte pjesë e një grupi të lojtarëve me përvojë të Bayernit ankesat e të cilëve kontribuuan në shkarkimin e pasardhësit të Guardiolas, Carlo Ancelottit në vitin 2017, pas rezultateve të dobëta.

Mueller u frustrua nën direktivat e Kovaçit, sa që edhe bashkëshortja e tij Lisa kritikoi trajnerin nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, pak para se Kovaç të zëvendësohej me Flickun.

Ajo që e bën Muellerin unik është fakti se nuk është as sulmues tipik e as mesfushor ofensiv tipik. Ai e përshkruan veten si një lojtar që gjen hapësirat.

Ai është vrasës me vrapime të koordinuara në mënyrë perfekte dhe me pasime të shpejta, duke bërë që prezenca e tij në zonë të krijojë hapësira për Lewandowskin.

“Më pëlqen të jem aktiv në hapësirën prapa mesfushës kundërshtare. Aty mund të shkaktoj më tepër dëme. Unë jam një kombinim mes sulmuesit dhe mesfushorit”, ka thënë Mueller.

Sukseset e tij flasin vet.

Ai ka qenë pjesë kyçe e skuadrës së Bayernit të vitit 2013 që fitoi “tripletën” (Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve).

Mueller ka fituar tetë herë ligën e Gjermanisë, e pesë herë Kupën e Gjermanisë.

Ai ka shënuar 38 gola në 100 ndeshje me Gjermaninë. Dhjetë nga golat erdhën në Kupa të Botës. Pesë i shënoi në Botërorin 2010 në Afrikë të Jugut dhe pesë në Botërorin 2014 në Brazil.

Forma e tij aktuale nënkupton se ai ende mund të luajë për Gjermaninë në një turne të madh këtë verë, pasi është përfshirë në listën preeliminare të Gjermanisë për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme