Shtyhet fillimi i stinorit në futboll në Kore shkaku i koronavirusit Foto: AFP

Shtyhet fillimi i stinorit në futboll në Kore shkaku i koronavirusit

24 February 2020 11:26

Korea e Jugut ka shtyrë fillimin e stinorit të ri të futbollit, pas përhapjes së rasteve me koronavirus në vend, shkruan AFP të hënën, transmeton Koha.net.

Vendimi për shtyrjen e fillimit të stinorit të ri në K-League është marrë të hënën. Përhapja e koronavirusit ka trazuar kalendarin sportiv në mbarë botën.

K-League, që është një nga ligat më të forta në Azi, ishte paraparë të niste këtë fundjavë. Po ashtu hapa të ngjashëm kanë marrë edhe ligat e volejbollit, basketbollit e hendbollit në Kore të Jugut, ndërsa numri i personave me koronavirus në Kore të Jugut është afro 900 dhe deri më tash janë regjistruar shtatë raste me fatalitet.

“K-League ka vendosur të shtyjë përkohësisht fillimin e stinorit 2020 derisa të zbutet përhapja e virusit. Kjo është masë për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve dhe lojtarëve tanë. Është prioritet i yni”, është thënë në komunikatë të K-League.

Nuk ka pasur ndonjë njoftim nga Konfederata e Futbollit të Azisë, nëse shtyrja do të hyjë në fuqi edhe për ndeshjet e Ligës së Kampionëve të Azisë, ku marrin pjesë katër klube nga Korea e Jugut.

K-League ka thënë se ka këshilluar klubet që të organizojnë ndeshjet pa shikues.

Rreth 2600 persona kanë humbur jetën në Kinë nga koronavirusi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme