Futbollistet e Kinës kthehen në simbol të luftës kundër koronavirusit Foto: AFP

Futbollistet e Kinës kthehen në simbol të luftës kundër koronavirusit

24 February 2020 13:13

Përfaqësuesja e Kinës në futboll të femrave është kthyer në simbol të luftës kundër koronavirusit, shkruan agjencia AFP të hënën, transmeton Koha.net.

Futbollistet e Kinës kanë dal nga karantina dhe janë pranë kualifikimit në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Me sportin e stagnuar në Kinë për shkak të shpërthimit të koronavirusit, që ka lënë të vdekur afro 2600 persona në vend, përfaqësuesja e futbollit të femrave e Kinës është kthyer në burim të krenarisë nacionale me rezultatet e arritura.

Ndonëse gjithë delegacioni ishte futur në karantinë me të arritur në Australi për turneun kualifikues – duhej të bënin zgjatje në korridor të hotelit dhe të vraponin shkallëve për të mbajtur formën – futbollistet e Kinës kaluan pa humbje turneun kualifikues, duke siguruar kalimin te një ballafaqim vendimtar me Korenë e Jugut. Do të luhen dy ndeshje me Korenë e Jugut për të siguruar një biletë për Lojërat Olimpike të vitit 2020 në Tokio.

Mediumet shtetërore kineze kanë vlerësuar lartë përfaqësuesen në javët e fundit. Pasi gjithë futbolli vendor është ndaluar për shkak të koronavirusit, përfaqësuesja e futbollit të femrave e Kinës ka pasur mbulim të madh medial.

“Seria pa humbje e ‘Trëndafilëve të Hekurt’ në kualifikime për Lojëra Olimpike ka ngrohur zemrat kineze mes epidemisë”, ka shkruar agjencia kineze Xinhua, një ditë pas barazimit 1:1 me Australinë, për të siguruar kalimin e Kinës në barazh.

Pengesa tjera do të presin futbollistet e Kinës, që do të përballen me Korenë e Jugut në dy ndeshje barazhi më 6 mars dhe 11 mars. Futbollistet e Kinës ndeshjen e kthimit, ku duhet të jenë vendase, do ta luajnë në Sydney të Australisë, për shkak të koronavirusit.

Periudha para turneut kualifikues nuk ka mundur të jetë më e vështirë.

Turneu kualifikues ishte paraparë të mbahej në Wuhan, epiqendrën e koronavirusit, por fillimisht u zhvendos në Nanjing e më pas në Australi.

Autoritetet australiane futën gjithë delegacionin kinez në karantinë në hotel në Brisbane për një javë, ku dolën foto të lojtareve duke bërë zgjatje dhe stërvitje në korridor.

Ato po ashtu vraponin nëpër shkallë të hotelit për të mbajtur veten në formë, siç kanë raportuar mediumet kineze.

Po ashtu përfaqësuesja e Kinës luajti pa katër lojtare kryesore, ndër to Wang Shuangin nga Wuhani. Ish-futbollistja e Paris Saint-Germainit u vendos në karantinë në Wuhan.

“Ne erdhëm këtu jo si individë, por në emër të gjithë Kinës”, ka thënë mesfushorja Tang Jiali. “Shpresojmë që të inkurajojmë vendlindjen tonë”.

Skuadra më në fund u lejua të dal nga hoteli më 6 shkurt dhe udhëtoi për në Sydney, ku në ditën tjetër shkatërroi Tajlandën me rezultatin 6:1, në të cilën ndeshje Tang shënoi dy gola.

“Lojtaret e mia nuk ishin në formën më të mirë. Si mund të ishin në formën më të mirë, ku për gati dhjetë ditë nuk prekën topin?” ka thënë seleksionuesi Jia Xiuquan.

Tang shënoi sërish në fitoren 5:0 ndaj Tajvanit dhe ishte sërish në listën e realizatoreve duke i siguruar Kinës epërsinë në minutën e 86-të në ndeshje ndaj Australisë, të renditur më lartë në renditje botërore. Australia barazoi në minutat shtesë.

Kina arriti në finale të Kupës së Botës të vitit 1999, duke pësuar në finale pas penalltive nga SHBA-ja dhe ka fituar Kupën e Azisë plotë tetë herë.

Futbollistet e Kinës kanë lënë dukshëm në hije futbollistët e përfaqësueses së Kinës, që kanë arritur në Kupën e Botës vetëm një herë.

Kina, tash e 15-ta në renditje të FIFA-s, është favorite në përballje me Korenë e Jugut, që zë vendin e 20-të në renditje. Por, qartë se është disavantazh se ndeshjen si vendase duhet ta luajë në Australi.

Mirëpo, zëvendëskryetari i Federatës së Futbollit të Kinës, Sun Wen, është optimist.

“Skuadra e futbollit të femrave e Kinës gjithmonë ka pasur traditë të madhe. Ne nuk i frikësohemi vështirësive dhe do të shkojmë për të luftuar”, ka thënë Sun.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme