Zidane: Guardiola më i miri në botë

Zidane: Guardiola më i miri në botë

25 February 2020 14:37

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane ka vlerësuar lartë trajnerin e Manchester Cityt, Pep Guardiola.

Zidane të martën në konferencë për media, ka thënë se Guardiola është trajneri më i mirë në botë. Real Madridi të mërkurën e pret Manchester Cityn e Guardiolas në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.

“Kjo ndeshje është Real Madrid kundër Manchester Cityt e jo Zidane kundër Guardiolas. Njerëzit duan të shohin ndeshjen e futbollit mes Madridit dhe Cityt. Është një ndeshje atraktive. E dijmë se është një javë e veçantë. Lojtarët duan të luajnë ndeshje të tilla. A është Guardiola trajneri më i mirë në botë? Ai e ka dëshmuar këtë te Barcelona, Bayern Muencheni e Manchester City. Ka shumë top-trajnerë, por mendoj se ai është më i miri. City ka shumë cilësi, përfshirë lojën me posedim të madh të topit. Por, ne jemi të interesuar të tregojmë lojën tonë”, ka thënë Zidane.

Ndërkohë kapiteni i Realit, Sergio Ramos ka thënë se lojtarët e klubit madrilen marrin motiv shtesë sa herë që dëgjojnë himnin e Ligës së Kampionëve. Real Madridi është në një javë vendimtare. Pas ndeshjes të së mërkurës në Champions, luan të dielën në shtëpi në El Clasico ndaj Barcelonës, ndeshje që mund të vendos titullin në La Liga.

“Liga e Kampionëve është garë e veçantë për ne. Me t’u intonuar himni, ne marrim motiv shtesë dhe po ashtu gjithë tifozët e Realit motivohen. Nuk është koincidencë që mbajmë rekordin për tituj të fituar në Ligën e Kampionëve. Futbolli ka të bëjë me rezultatet. Skuadra nuk ka ndryshuar, por ne humbëm një ndeshje ndaj Levantes, ku luajtëm mjaft mirë. Tash ka ardhur momenti i vërtetë në Ligën e Kampionëve, e pason El Clasico në ligë. Është momenti perfekt për të treguar qëllimin tonë. Nuk ka kohë për të ndjerë keqardhje me veten”, ka thënë Ramos.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme