Coutinhon e pret një verë tjetër me spekulime Foto: Reuters

Coutinhon e pret një verë tjetër me spekulime

25 February 2020 15:29

Dy vjet më parë, presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomelu prezantoi transferimin rekord të klubit Philippe Coutinho.

“Jam shumë i lumtur të prezantoj transferimin e një prej yjeve botërore dhe ai do të jetë këtu për shumë vite”, kishte thënë Bartomeu gjatë prezantimit, shkruan “Goal.com” të martën, transmeton Koha.net.

Barcelona shpenzoi 120 milionë euro për të sjellë brazilianin në “Camp Nou” nga Liverpooli, e me klauzola shifra do të rritej deri në 160 milionë euro.

Coutinho vet shtyu largimin nga Liverpooli atëbotë.

Tetë muaj më parë, drejtori sportiv i Bayern Muenchenit, Hasan Salihamidzhiq përsëriti disa nga ato lëvdata të Baromeut për Coutinhon.

I tha tifozëve të Bayernit se lojtari të cilin e mori Bayerni në formë huazimi është një lojtar i klasit botëror, me aftësi të mëdha, që mund të luajë në pozita të ndryshme në sulm. Ai erdhi në përfundim se Bayerni ka fituar edhe më tepër kualitet me Coutinhon.

Pas një viti të parë dëshpërues në La Liga, Barcelona u pajtua të lë Coutinhon të largohet në formë huazimi, duke shpresuar se ai do të bëjë mjaftueshëm në Mynih për të bindur Bayernin që të aktivizojë klauzolën për të bërë transferimin e plotë prej 120 milionë eurosh.

Mirëpo, kjo shifër duket tepër e ekzagjëruar për 27-vjeçarin, vlera e të cilit ka rënë dukshëm që nga kalimi te Barcelona nga Liverpooli.

Përformancat e forta që tregoi në fillim të stinorit te Bayerni nën drejtimin e Niko Kovaç, ngjallën shpresë se ai mund të kthehet në formën e tij më të mirë në Gjermani.

Tre gola e dy asistime në fitoren 6:1 ndaj Werder Bremenit, duhej të ishin momenti i kthesës për brazilianin. Mirëpo, ai dështoi të regjistronte gol apo asistim në tri ndeshjet e radhës si startues dhe nuk ka shënuar që nga atëherë.

Pasardhësi i Kovaçit, Hansi Flick e ka lënë në bankinë që nga pushimi dimëror në Bundesligës. Të premten ai startoi në Bundesligë kundër Paderbornit, por luajti vetëm 60 minuta dhe nuk la gjurmë, para se të zëvendësohej me Thomas Muellerin.

Përformancat e fundit nuk kanë impresionuar krerët e Bayernit, ku shefi ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge, ka vënë në pah mungesën e konsistencës së Coutinhos.

“Ai ka luajtur mirë në disa ndeshje. Nganjëherë ka dhënë përshtypjen se është i frenuar”, ha thënë Rummenigge për gazetën gjermane Bild. “Të gjithë mundohen të përkrahin atë. Ne shpresojmë se ai do të bëhet faktor kyç në javët vendimtare që na presin”.

Me Barcelonën dhe Bayern Muenchenin duke luajtur në Ligën e Kampionëve sonte, Coutinho me gjasë do të jetë në bankinë për Bayernin në ndeshjen ndaj Chelseat në Londër.

Gjasat e tij që të depërtoi te Barcelona stinorin e ardhshëm, duken shumë të vogla.

Kishte pasur kritika stinorin e kaluar se Coutinho nuk po aktivizohet te Barcelona në pozitën e tij të preferuar. Por, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe te Bayerni. Si Kovaç ashtu edhe Flick u munduan të akomodojnë Coutinhon në pozitën e preferuar të tij si 10-she, por ai ka shënuar vetëm tre gola dhe asistuar gjashtë në 19 ndeshje, duke luajtur direkt prapa sulmuesit Robert Lewandowski.

Si rezultat i mungesës së konsistencës në përformanca, Bayerni do të shikojë diku tjetër për përforcim në verë, edhe nëse Barcelona vendos të ulë kërkesën.

Disa nga ish-lojtarët e Liverpoolit kanë sugjeruar se Coutinho mund të kthehet në Anfield, por Liverpooli ka vazhduar para që nga ajo ndarje jo aq miqësore.

Kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson do të mirëpriste Coutinhon në Liverpool, por ai beson se koha e brazilianit te klubi anglez ka kaluar.

“Philippen e kam shok të mirë. Mendoj se është lojtar i jashtëzakonshëm, ka çdo gjë. Ka qasje fenomenale dhe pëlqen futbollin. Sigurisht, për mua ai gjithmonë do të ishte i mirëseardhur, por nuk varet nga unë. Ndoshta është më së miri të pyetet trajneri. Djelmoshat e duan atë, kështu që nëse i pyet ata, sigurisht se ata do të pëlqenin idenë. Por, mendoj se koha e tij ka skaduar. Ai ka lëvizur dhe shpresoj se në të ardhmen e afërm do të shohim Philippen e njëjtë siç e pamë në Liverpool”, ka thënë Henderson për “Sport”.

Shitja e Coutinhos ka ndihmuar Liverpoolin të transferojë mbrojtësin Virgil van Dijk dhe portierin Alisson. Dhe pasi ka arritur në dy finale rresht në Ligën e Kampionëve, duke fituar finalen stinorin e kaluar, Liverpooli është rrugës të fitojë titullin e parë të Anglisë pas 30 vjetëve.

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone madje i ka adresuar meritat e forcimit të Liverpoolit te largimi i Coutinhos.

“Liverpooli mund të luajë me kundërsulme, lojën me posedim, është shumë i fortë në luftë në ajër”, ka thënë SImeone javën e kaluar. “Është përmirësuar që kur Coutinho u largua. Largimi i Coutinhos la përshtypje se skuadra po prishet, por është e kundërta. Është bërë edhe më e fortë. Kjo tregon shumë për lojtarët që janë ende në Liverpool”.

Që kur u largua nga Liverpooli, Coutinho ka fituar disa tituj, përfshirë dy herë La Ligan dhe një herë Kupën e Spanjës, por ka dështuar të dëshmohet në fushë.

Siç qëndrojnë gjërat, ai pritet të përjetojë një verë tjetër me spekulime për të destinacionin e ardhshëm të tij. Nuk dihet nëse do të jetë i mirëpritur te Barcelona apo do të pozojë me një fanellë tjetër dhe do të dëgjojë lëvdatat nga një drejtor tjetër sportiv i një klubi, që e quan atë lojtar të klasit botëror.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme