UEFA nuk e di nëse koronavirusi do të ketë ndikim në “Euro 2020”

UEFA nuk e di nëse koronavirusi do të ketë ndikim në “Euro 2020”

25 February 2020 15:49

Konfederata e Futbollit Evropian (UEFA) nuk e ka ende të qartë nëse Kampionati Evropian i futbollit këtë vit do të ndikohet nga përhapja e koronavirusit.

Koronavirusi është përhapur në Itali, një nga 12 shtetet nikoqire të Evropës. Qindra të prekur janë regjistruar në Itali me virusin që së pari është shfaqur në Kinë. Janë regjistruar shtatë të vdekur.

Një numër i ngjarjeve sportive, përfshirë edhe ndeshje të Serie A në futboll, janë pezulluar gjatë fundjavës. Po ashtu është vendosur që disa ndeshje të kësaj fundjave në elitën italiane të futbollit të luhen pa shikues.

Roma, që ende nuk është prekur deri më tash, do të organizojë tri ndeshje të fazës grupore dhe një çerekfinale në Evropianin 2020 që mbahet në qershor dhe korrik.

“Ne jemi në fazë të pritjes. Jemi duke monitoruar shtet nga shtet dhe futbolli duhet të ndjek direktivat e çdo shteti”, ka thënë italiani Michele Uva, anëtar i komitetit ekzekutiv të UEFA-s, për transmetuesin italian RAI të martën, transmeton Koha.net. “Rruga sportive do të mbyllet vetëm nëse situata përkeqësohet”.

Napoli e pret Barcelonën të martën në ndeshjen e 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Ishte sugjeruar shtyrja e ndeshjes apo të luhet pa shikues, pasi Napoli gjendet afër regjioneve të prekura.

Interi ndeshjen e Ligës së Evropës me Ludogoretsin të enjten do ta luaj pa shikues. Klubi ka konfirmuar të martën se gjithë tifozët që kanë blerë bileta do të rimbursohen.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme