Peja pa Hajrizin e Berishën nuk përballon Vllazninë Foto: KB Peja

Peja pa Hajrizin e Berishën nuk përballon Vllazninë

25 February 2020 19:54

Peja e ka humbur ndeshjen e parë të fazës së dytë të Ligës Ballkanike në basketboll. Të martën mbrëma në Shkodër, Peja ka pësuar nga Vllaznia me rezultatin 78:62, ka njoftuar BIBL.

Peja në këtë ndeshje është paraqitur pa dy lojtarët kryesorë, kapitenin Drilon Hajrizi dhe liderin Dardan Berisha. Hajrizi e Berisha kanë pasur një periudhë shumë të ngarkuar dhe janë lënë të lirë për këtë ndeshje. Javën e kaluar ata i luajtën dy ndeshje të vështira me Kosovën. Ndërkohë më herët Peja luajti tri ndeshje të forta për Kupë. Kupën e Kosovës e fitoi dhjetë ditë më parë.

Peja kërkon suksesin edhe në Ligën Ballkanike, ndërsa pjesën e parë të garave e përfundoi në vend të dytë me bilanc prej pesë fitore e tri humbje.

Të martën në Shkodër, Peja fitoi çerekun e parë, ndërsa u mbajt mirë edhe në të dytin. Por në çerekun e tretë dhe të katërt u dominua nga Vllaznia, që fitoi në fund me shifrat 78:62.

Brett Prahl ishte më i miri te Peja me 17 pikë e gjashtë kërcime. Nigel Johnson realizoi 19 pikë, shtatë asistime e tri kërcime, ndërsa Richard Jackson kontribuoi me 11 pikë e gjashtë kërcime.

Të mërkurën ndeshje në Ligën Ballkanike luan Rahoveci, që e pret Ibarin (Ibrin) e Rozhajës, nga ora 19:00.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme