Rashani refuzoi ofertën nga SHBA-ja për shkak të Kosovës

Rashani refuzoi ofertën nga SHBA-ja për shkak të Kosovës

25 February 2020 21:10

Reprezentuesi i Kosovës në futboll, Elbasan Rashani ka pasur dy oferta konkrete në afatin kalimtar të janarit. Por Rashani nuk ka arritur marrëveshje për të lëvizur dhe do të vazhdojë të luajë për Oddin në Norvegji.

Sulmuesi i krahut njërën prej ofertave e kishte nga SHBA-ja, përkatësisht nga skuadra e MLS-së, Real Salt Lake. Ka lënë të kuptohet se atë e ka refuzuar për të qenë më afër përfaqësueses së Kosovës.

“Kam pranuar një ofertë nga Real Salt Lake. Ishte një ofertë shumë e mirë. Nuk dua të futem në detaje se çka ndodhi, por nuk u realizua këtë herë. Do të ishte mundësi e mirë për mua atje, por janë disa gjëra që duhet të mendohen. Përfaqësuesja e Kosovës ndër të tjera. SHBA-ja është larg dhe unë dua të jem në përfaqësuese. Ne jemi dy ndeshje larg Evropianit”, ka thënë Rashani në një intervistë për “nettavisen.no”, raporton Koha.net. Ai ka shtuar se afati kalimtar në MLS është ende i hapur dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e largimit.

Rashani ka kontratë me Oddin deri në fund të vitit. Për Kosovën i ka luajtur 12 ndeshje dhe ka realizuar katër gola.

26-vjeçari një ofertë e ka pasur edhe nga Spanja.

“Ishte një ofertë e Sporting Gijonit të Spanjës. Në aspektin sportiv ishte mundësi e mirë për mua. Por nëse dua të lëvizë, dua të bëjë për ofertën e duhur. Është kombinim i aspektit sportiv dhe financiar. Nuk jemi pajtuar këtë herë”, ka thënë Rashani. Sporting Gijoni luan në kategorinë e dytë të Spanjës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme