FFK-ja nuk deklarohet për dënimin ndaj kryetarit të saj

FFK-ja nuk deklarohet për dënimin ndaj kryetarit të saj

Faton Polisi Faton Polisi 27 February 2020 18:58

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, nuk ka komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit, që të mërkurën e ka vërtetuar dënimin prej nëntë muajsh burg efektiv ndaj tij, që gjykata e shkallës së parë ia kishte shqiptuar më herët.

I pari i FFK-së ka thënë se do të deklarohet për vendimin e Gjykatës së Apelit, por nuk ka treguar se kur. Në pyetje tjera të Kohës Ditore ai nuk është përgjigjur. Ademi aktualisht është në Zvicër, ku po merr pjesë në disa aktivitete të FIFA-s.

“Po, sigurisht se do të deklarohem”, ka thënë Ademi, duke mos dhënë më shumë detaje se kur dhe si do të deklarohet.

Për situatën e kryetarit të FFK-së nuk është deklaruar as sekretari i përgjithshëm i Federatës më të madhe në vend, Eroll Salihu. Edhe Salihu ka thënë se do të do të ketë deklarim nga vet Ademi.

“Nesër do të kthehemi dhe kryetari do të deklarohet”, ka thënë Salihu.

Gjatë të mërkurës, kur u publikua vendimi i Gjykatës së Apelit, dhe të enjten, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Federata e Futbollit e Kosovës. Po pritet kthimi i kryetarit Ademi për të bërë këtë.

Gjykata e Apelit ka njoftuar se i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe avokatëve mbrojtës. Agim Ademi dhe i dënuari tjetër, Muharrem Rama, akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke e detyruar të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30 mijë euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme