Morina: Iviqi na vuri në qendër të mediave botërore

05 March 2020 00:03
00:09

Drejtori sportiv i Flamurtarit, Arbnor Morina ka folur në intervistë për Interaktiv në KTV, për rastin e futbollistit të ri serb Ilija Iviq.

Rasti i Iviqit bëri bujë në mediumet botërore. Iviq ka marrë ftesë nga përfaqësuesja U-19 e Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për të luajtur. Pati kritika të shumta nga mediumet nga Beogradi, ndërsa Iviq raportoi se për shkak se ka shprehur gatishmërinë që të luajë për Kosovën, i janë larguar nga puna prindërit.

Iviq mori mbështetje nga ambasadorët e huaj në Kosovë.

“Kemi qenë në qendër të mediumeve botërore për shkak të Ilija Iviqit. Iviq është qe tre vjet në ekip dhe trajnerët që kanë punuar me të e kanë vërejtur se ai ka talent. E rëndësishme është se ai erdhi këtu. Kemi pasur përkrahje të madhe nga ambasada e SHBA-së, Britanisë së Madhe e Italisë. Kjo ka bërë bujë në shumë mediume botërore. Nuk shoh asgjë të keqe, që ai të vazhdojë të luajë për Flamurtarin dhe Kosovën. Ai vazhdon të stërvitet rregullisht dhe ka deklaruar se do të vazhdojë të luajë për Flamurtarin, e sigurisht se i vjen ftesa edhe nga Kosova”, ka thënë Morina.

Ai ka treguar se ka pasur edhe lojtarë tjerë serbë që kanë pasur dëshirë t’i bashkohen Flamurtarit, por nuk kanë treguar kualitet.

“Jo të gjithë mund të luajnë”, ka thënë Morina.

00:07

Morina: Pozita e portierit problem te Kosova, Bekaj ka vazhdimësi

Drejtor sportiv i KF Flamurtarit, Arbnor Morina, në Interaktiv të KTV-së ka folur edhe për kombëtaren e Kosovës në futboll.

Në Ligën e Kombeve, Kosova do të përballet me Greqinë, Moldavinë e Slloveninë.

Sipas Morinës ndaj Greqisë do të jetë më shumë se futboll, derisa thekson se një rol shumë të rëndësishëm do të luajnë tifozët.

“Deri më tash këta djem na kanë bërë me u mburrë me ta. Me formën që e kanë treguar në klubet e tyre jep njëfarë garance se prapë do të vazhdojnë me një ritëm të mirë. Me Greqinë nuk do të jetë vetëm futboll, rol të madh do të luajë edhe përkrahja e tifozëve. Ka me qenë interesant se si ka me shkuar puna me tifozët. Kundër Sllovenisë që ka një ekip shumë të mirë, që luan lojë shumë të shpejtë. Kurse për Moldavinë nuk kam shumë informacione”, u shpreh Morina.

Ai thotë se ndihet krenarë që lojtarët kryesor të Kosovës kanë dalë nga Superliga, megjithëse janë perfeksionuar në klubet evropiane.

“Ajo çfarë më bën shumë krenar është se në çdo grumbullim do të duhej të kishte lojtarë të Superligës, kurse tani i kemi pesë lojtarë që janë bartës të lojës e që kanë dalë nga Superliga. Tash është një e mirë që kemi lojtarë jashtë që janë shtylla të ekipeve të veta në liga të forta”, ka thënë ai.

Sipas tij problemi kryesor te Kosova mbetet pozita e portierit, me Aro Muriqin që nuk ka arritur të ketë minutazhë te ekipi i tij, megjithatë ai e sheh Visar Bekajn si portier adekuat për shkak të vazhdimësisë te Prishtina.

“Zhegrova ka filluar me luajë në vazhdimësi që është plus i madh, kthehet Arbër Zeneli. Problemi kryesor mbetet pozita e portierit, dhe më i afërti për këtë pozitë është Visar Bekaj, i cili ka vazhdimësi. Visari është një djalë i mirë, punëtorë i mirë dhe është momenti kyç që ai të largohet në një kampionat më të fortë dhe bashkë me Muriqin të luajnë për Kosovën”, ka thënë Morina.

Tutje ai ka komentuar deklaratën e Moldavisë, e cila nuk e njeh Kosovën dhe ka paralajmëruar se s’do të luajë as në shtëpi por as në Prishtinë ndaj Kosovës. E të njëjtin problem e ka edhe Greqia, nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

“Aspak nuk është problem i Kosovës atë se çfarë deklaron Moldavia. Nuk besoj se do të ketë guximin që Greqia mos të luajë ndaj Kosovës. Shumë kisha pas dëshirë që të ndërmerrte atë hap Moldavia, dhe të shohim se çfarë dënimi do të merrte. Kjo ndikon në renditje, dhe Liga e Kombeve është e rëndësishme për këtë dhe ka shumë rëndësi që këto ndeshje të fitohen”, ka thënë Morina.

Tutje ai ka thënë se ndeshja ndaj Maqedonisë do të jetë mjaft e vështirë.

“Ndeshje mjaft e fortë (ndaj Maqedonisë). Është një ndeshje shumë e vështirë pasi kanë një seriozitet të madh, por më gëzon fakti në formën që janë duke kaluar lojtarët tanë. Si Rashica, Paqarada. Po rritet numri i lojtarëve dhe po rritet konkurrenca e kjo do të thotë mjaft. Rrahmani po luan në formë shumë të lartë e në vazhdimësi e po ju tregon edhe italianëve se mund të luajë në vazhdimësi, Muriqi ka gjetur rrugën e golave”, u shpreh ai.

00:03

Morina: Nuk i është bërë ftesë Partizanit të Beogradit

Drejtori sportiv i Flamurtarit, Arbnor Morina, në një bisedë për “Interaktiv” të KTV-së ka insistuar se nuk i është bërë asnjë ftesë Partizanit të Beogradit dhe se deklaratat e tij dhënë në emisionin “Slobodno srpski” janë keqinterpretuar.

“Nuk ekziston ftesë për turne, por ka qenë një bisedë e kamotshme e njerëzve të niveleve e pozitave të ndryshme. Ka qenë ideja se si mund të kujtohet Fadil Vokrri në mënyrën më të mirë. Përkthimi i intervistës që kam dhënë për një medium të Kosovës në gjuhën serbe, ka qenë tendencioz. Nuk ka qenë asgjë më tepër se një bisedë. Askush nuk ka dërguar ftesë dhe nuk është folur se kush do ta organizojë turneun. Në Serbi ka bërë shumë bujë”, ka deklaruar Morina.

Intervista e Morinës kishte bërë bujë në mediumet në Serbi, por pati reagime edhe në Kosovë.

Tifogrupi i Prishtinës, Plisat, kishte reaguar, duke kritikuar për këtë nismë, si dhe duke insistuar se nuk do të lejohet organizimi i një turneu të tillë.

“Këta djemtë e rinj e bënë atë nga euforia. E thash se është një përkthim tendencioz. Mirëpo, sa për nostalgji ndaj Jugosllavisë, mund t’iu bëjë me dije Plisave se ekziston një histori e familjes Morina prej viteve të 20-ta e deri më sot dhe me siguri kanë harruar se unë kam qenë kapiteni i fundit i Prishtinës në ish-Jugosllavi, kur e kemi prishur atë ligë dhe e kemi bërë ligën e Kosovës. E kemi bërë këtë kur të tjerët janë fshehur. Për jugonostalgji janë në adresë të gabuar”, ka deklaruar Morina.

Sipas tij, opinioni e ka perceptuar në mënyrë të gabueshme atë intervistë të tij. Në intervistë Morina kishte folur për iniciativë për të ftuar klubet ku ka luajtur legjenda Fadil Vokrri, si Nimesin e Francës, Fenerbahçen e Turqisë e Partizanin e Beogradit.

“Nëse dikush është prekë, i kërkoj falje, por gabimi duhet kërkuar tek ata që e kanë shtrembëruar deklaratën time”, ka thënë Morina.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme