Sport

Tottenhami kërkon rikthimin e madh në Gjermani

Tottenhami kërkon rikthimin e madh në Gjermani

Pasi arriti edicionin e shkuar në finale të Ligës së Kampionëve, Tottenhamin këtë edicion e pret një mision i vështirë për të siguruar plasmanin në çerekfinale të kësaj gare. Tottenhami, të martën (sot) mbrëma luan në udhëtim ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales kundër RB Leipzigut, ekip që është në avantazh pas fitores 1:0 në Londër. Tottenhami po synon rikthimin e këtij rezultati dhe atë pa dy sulmuesit kryesorë – Harry Kane e Son Heung-min, që të dy të lënduar. Ekipi i drejtuar nga Jose Mourinho është në një seri prej pesë ndeshjeve pa fitore, e cila nisi pikërisht nga humbja me RB Leipzigun, kurse vikendin e shkuar barazoi me Burnleyn në kuadër të Premier Leagues.

Pavarësisht, kësaj situate, portieri i Tottenhamit, Hugo Lloris është optimist për ndeshjen e kthimit ndaj ekipit gjerman. Lloris ka sfiduar bashkëlojtarët e tij që ta tejkalojnë RB Leipzigun, duke u motivuar nga rezultatet e edicionit të shkuar në Champions. Ai thotë se Tottenhami duhet të motivohet nga kthimi i madh kundër Ajaxit në gjysmëfinale kur arriti të sigurojë finalen në ndeshjen e dytë, edhe pse ishte në disavantazh prej tre golave.