Llullaku nuk i kupton bjellorusët si mund të luajnë futboll në këtë kohë

Llullaku nuk i kupton bjellorusët si mund të luajnë futboll në këtë kohë

Bujar Mehmeti 21 March 2020 20:45

Në kohën kur e tërë bota po bën thirrje për izolim për shkak të përhapjes së madhe të koronavirusit, dhe kur janë pezulluar pothuajse të gjitha ngjarjet sportive, në Bjellorusi, ka nisur kampionati i ri dhe janë zhvilluar ndeshjet, madje edhe me shikues.

Nga Federata e futbollit e këtij vendi është vlerësuar se nuk ka arsye për të shtyrë kampionatin, edhe pse në këtë vend janë dhjetëra persona të prekur nga koronavirusi.

Në kampionatin e Bjellorusisë luan edhe futbollisti shqiptar Azdren Llullaku, i cili ditë më parë për Koha.net ka thënë se në këtë vend nuk po e kuptojnë rrezikun e pandemisë, raporton “Sporti në KTV”.

Të shtunën kur ka vazhduar kampionati i futbollit në Bjellorusi, Llullaku në një prononcim për KOHAn, ka thënë se nuk mund ta kuptojë se si në këtë vend, jo që nuk bëhet fjalë për izolim, por atje vazhdon jeta normale.

“I vetmi kampionat është ky i Bjellorusisë, i cili ende nuk është ndërprerë, edhe luhet me tifozë. Duket gjithçka normale këtu, njerëzit dalin nëpër restorante sikur të mos kishte asgjë. Shkollat gjithashtu janë të hapura, palestrat, nuk është marrë seriozisht ky problem, që nga ana ime është diçka jo normale” ka thënë Llullaku.

32-vjeqari është pjesë e skuadrës Shakhter Soligorsk, që në ndeshjen hapëse pësoi humbjes 1:0 nga Torpedo Zhodino. Në këtë takim Llullalku nuk u aktivizua por ishte në bankën rezervë të skuadrës së tij.

Llullaku është rritur në Itali, vend në të cilin ka kaluar shumicën e karrierës. Italia është goditur rëndë nga koronavirusi dhe Llullaku është i njoftuar me rrezikun që paraqet kjo pandemi, pasi ka atje edhe familjen.

“Unë e kuptojë shumë mirë çfarë është ky problem, pasi e kam familjen në Itali, kam dhe shumë familjarë në Kosovë, dhe e di se çfarë po kalojnë ata, sa raste ka për këtë virus Shpresojë që edhe këtu ta marrin vesh sa më shpejt, pasi sipas meje nuk është aspak në rregull të luhet sidomos me tifozë, pasi kemi shumë kontakte. Duhet të kujdesemi sa më shumë. E gjithë bota po kujdeset, nuk po e kuptojë pse vetëm këtu ende jo. Shpresojë që sa më shpejt të marrin edhe këta një vendim të mirë për shëndetin e njerëzve”, porosit Llullaku.

Azdren Llullaku është paraqitur për Kombëtaren e Shqipërisë në të kaluarën, ndërsa në Bjellorusi luan prej vitit të kaluar. Suksese ka pasur sidomos në Rumani, ndërsa ka luajtur edhe në Kazakistan.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme