Ndeshja që nuk u luajt asnjëherë

Ndeshja që nuk u luajt asnjëherë

Arsim Maxhera Arsim Maxhera 23 March 2020 15:16

Ndonëse nuk u lejuan të zhvillojnë ndeshje, hendbollistet e reja të përfaqësueses së Kosovës mburren që kanë shkruar histori.

Saktësisht dy vite më parë, më 23 mars të vitit 2018, nga ora 16:00, është dashur të luhet ndeshja në mes të përfaqësueses U-20 të Serbisë dhe Kosovës. Por ndeshja nuk u luajt dhe as që pritet të zhvillohet një ndeshje e tillë për kohë të gjatë, raporton Koha.net.

Hendbollistet e reja të Serbisë dhe të Kosovës është dashur të takohen në Kovilovo, në afërsi të Beogradit, në kuadër të kualifikimeve evropiane për Botërorin e mbajtur atë vit. Ka pasur në të kaluarën pak përballje mes përfaqësueseve të Kosovës e të Serbisë, por asnjë në territorin e dy shteteve. Dhe nuk do të ketë për kohë të gjatë.

Në fakt përfaqësuesja e Kosovës kishte udhëtuar për në Kovilovo, ku është një kompleks sportiv plotësisht i izoluar. Udhëtimi dhe qëndrimi në kompleksin në afërsi të kryeqendrës së Serbisë ishte plot dramë.

Në kufirin mes Kosovës e Serbisë, delegacioni kosovar u vendos në një autobus me targa të Serbisë. Brenda në të qëndruan edhe dy pjesëtarë të sigurimit të Serbisë. Para dhe pas autobusit ishin nga disa automjete të policisë serbe, ndërsa policë ishin vendosur thuajse në secilin udhëkryq dhe vende të banuara, deri në Beograd.

Image

Udhëtimi, gjatë të cilit nuk kishte telashe, zgjati rreth shtatë orë. Në mbrëmjen e 22 marsit, përfaqësuesja e Kosovës zhvilloi një stërvitje në sallën sportive të kompleksit në Kovilovo. Vajzat ushtruan me fanella me mbishkrimin “Kosova”. Të veshura me uniformë të Kosovës e bënë edhe tërë rrugën deri në Beograd.

Pasi dolën fotografi nga stërvitja e Kosovës në territorin e Serbisë, në afërsi të Beogradit, me fanella të Kosovës, nisën reagimet e grupeve të huliganëve serb. Qindra të tillë u mblodhën në mbrëmjen e 22 marsit në afërsi të Kovilovos ku protestuan për paraqitjen e Kosovës në territorin e Serbisë. Huliganët serb ndezën fishekzjarrë, kënduan këngë fyese për Kosovën dhe shpalosën flamuj të Serbisë.

“Do të shihemi nesër”, ishte kërcënimi I tyre.

Protesta megjithatë ishte zhvilluar larg kompleksit ku ishin vendosur hendbollistet e reja të Kosovës. Nuk ishte dëgjuar apo parë nga delegacioni kosovar.

Të premten, më 23 mars, hendbollistet e Kosovës po bëheshin gati për ndeshjen më të madhe në karrierën e tyre. Larg tyre kishte zhvillime të shumta. Presioni po rritej ndaj shtetit serb për të pamundësuar paraqitjen e Kosovës në territorin e Serbisë.

“Ne ishim në kompleks, pranë vajzave, ndërkohë që zhvillimet ishin të shumta dhe tepër dramatike. Pas protestës së një nate më parë, në ditën e lojës kishte edhe një protestë në Beograd. Thirrjet që mos të lejohet Kosova të luante në territorin e Serbisë u bënë të shumta. Madje kishte edhe kërcënime për sulme të ndryshme ndaj kompleksit ku ishim të vendosur ne, për të bërë të pamundur paraqitjen e Kosovës”, ka treguar Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Derisa hendbollistet e Kosovës po prisnin që të shkonin në palestrën ku do të luhej ndeshja, mediat serbe njoftuan se ajo nuk do të luhej. Qeveria e Serbisë kishte marrë vendim që Kosova mos të lejohej të futej në palestër. Ndërkohë u luajt ndeshja në mes të Norvegjisë dhe Sllovakisë, por vendim tjetër ishte që Kosova mos të lejohej të zhvillonte asnjë ndeshje në territorin e Serbisë. Kështu u anulua i gjithë turneu.

Prapë nën masa të rrepta të sigurisë, përfaqësuesja e Kosovës udhëtoi deri në kufirin mes dy vendeve.

“Ishte një ditë që do të mbetet në histori. Kishte shumë zhvillime, por në fund shteti serb nuk lejoi që ne të luajmë. Për ne ishte një fitore e madhe politiko-sportive. Jo vetëm për ne si federatë, por për gjithë shtetin e Kosovës”, ka theksuar Gjinovci.

Ndonëse asnjëherë të rrezikuara, presionin e kishin ndjerë edhe vajzat e Kosovës. Dhomat e tyre u kontrolluan gjatë ditës së ndeshjes, pas dyshimeve për vendosjen e ndonjë bombe. Orë të tëra vajzat qëndruan së bashku në korridorin e katit të dytë të objektit hotelier në kompleksin në Kovilovo.

“Për asnjë moment delegacioni ynë nuk është rrezikuar. Përcjellja ka qenë e jashtëzakonshme. Përgjegjësit na kanë treguar se të angazhuar ishin mijëra policë dhe njësi të ndryshme të sigurisë. Ne nuk luajtëm, por fitimtarë ishim. Ato 15 vajza të reja bënë që e tërë Serbia të ngrihet në këmbë”, ka theksuar Izet Gjinovci.

Ishte njoftuar për 1800 policë të angazhuar. 350 ishin vetëm brenda kompleksit, dhjetëra prej tyre në objektin ku ishte delegacioni kosovar dhe delegacionet e Norvegjisë dhe Sllovakisë. 250 ishin përreth kompleksit. Ishin angazhuar njësi elite, që kishin formuar tre rrathë të sigurisë.

Federata Evropiane ndërkohë e dënoi Serbinë, por jo rëndë. Vendim tjetër ishte që Norvegjia, si fituese e ndeshjes me Sllovakinë, të shpallej fituese e grupit dhe të kualifikohej në Botëror. Tashmë EHF-ja, njëjtë si shumica e federative tjera evropiane, nuk lejon përballjet e Kosovës me Serbinë.

Presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini kishte udhëtuar për në Beograd për t’iu qëndruar pranë vajzave dhe ekipit të hendbollit. Edhe Saraçini flet me krenari për atë ditë.

“Ne zhvilluam vetëm një stërvitje në territorin e Serbisë. Është e para e Kosovës në Serbi dhe për shumë kohë do të mbetet e vetmja. Nuk luajtëm, nuk na lejuan, por historinë e shkruam. Fitimtarët ishim ne, ishte Kosova”, ka theksuar Saraçini për Koha.net.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme