Sport

Bach thotë se Lojërat Olimpike mund të organizohen edhe në pranverë të vitit të ardhshëm

Foto: Reuters
 

Kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach ka thënë se shtyrja e Lojërave Olimpike në Tokio ka me mijëra probleme logjistike e financiare dhe ngjarja e madhe mund të organizohet edhe para verës së vitit të ardhshëm, shkruan agjencia Reuters, transmeton Koha.net.

Ndonëse shumica po llogarisin që Lojërat Olimpike të mbahen në periudhën korrik-gusht vitin e ardhshëm, Bach ka thënë se mundësia është të organizohen edhe më herët në vitin 2021.

“Marrëveshja është se ne duam të organizojmë këto Lojëra Olimpike më së largu në verën e vitit 2021. Nuk është e kufizuar vetëm në muajt e verës. Gjitha opsionet janë të mundshme, përfshirë edhe verën e vitit 2021”, ka thënë Bach.

IOC-ja e Japonia kanë arritur marrëveshje të martën që për herë të parë në historinë 124-vjeçare të Lojërave Olimpike moderne të shtynë një edicion të Lojërave Olimpike. Është ngjarja e fundit e madhe që është shtyrë këtë vit shkaku i koronavirusit. Ka pasur shumë kritika ndaj IOC-së dhe shumë edhe kanë pyetur pse është dashur aq shumë për të marrë një vendim të tillë.