Federata e Futbollit të Spanjës ofron infrastrukturën për luftën ndaj koronavirusit Foto: Marca

Federata e Futbollit të Spanjës ofron infrastrukturën për luftën ndaj koronavirusit

25 March 2020 15:14

Presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës (RFEF), Luis Rubiales i ka ofruar shërbimit shëndetësor të vendit infrastrukturën e përfaqësueses së Spanjës dhe disa nga anëtarët e stafit për të ndihmuar përballimin e krizës së koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë e Spanjës ka njoftuar të mërkurën se janë regjistruar 3434 të vdekur nga koronavirusi, ndërsa ka më tepër se 47 mijë të infektuar në vend.

“Hoteli i përfaqësueses së Spanjës është në dispozicion për autoritetet si spital, apo që punëtorët shëndetësor të qëndrojnë aty, çfarëdo që të jetë nevoja. Psikologët dhe fizioterapeutët tanë po ashtu janë në dispozicion për punëtorët e shërbimit shëndetësor”, ka thënë Rubiales në konferencë për media, transmeton Koha.net.

Rubiales po ashtu ka premtuar se Federata e Futbollit të Spanjës do të ndihmojë klubet, pasi që kriza e koronavirusit ka goditur rëndë futbollin spanjoll, që është pezulluar në afat të pacaktuar.

RFEF planifikon të hap një linjë krediti me vlerë 500 milionë euro për klubet që nuk do të jenë në gjendje të marrin paratë e plota nga të drejtat televizive, kredi që do të kthehej brenda pesë vjetëve. Ndërkohë do të huazohen katër milionë euro për klubet jo-profesioniste në të dy konkurrencat.

“Ne duam të ulemi me La Ligan dhe të flasim për problemet që disa nga klubet mund të kenë. Mesazhi im është një i bashkimit, shpresës, disiplinës. Gjithë futbolli, nga ai modest deri në atë elitar, duhet të dërgojë mesazh solidariteti, së bashku do të ndalim këtë virus”, ka thënë Rubiales.


Rubiales po ashtu ka thënë se nuk do të vazhdohet me futboll derisa nuk të jetë e sigurt.

“Futbolli tash është një gjë shumë e parëndësishme, duke marrë parasysh problemin me të cilin po përballet bota. Përkundër kësaj, ne duhet të vazhdojmë të punojmë për futboll. Nuk mund të luajmë çdo 48 orë. Por, tash nuk është koha të flasim edhe për kalendarë. Nuk caktojmë një datë kur do të luhet sërish. Duhet mposhtet kjo pandemi. Të garantohet shëndeti”, ka deklaruar Rubiales.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme