Një mundës nga Kosova kërkon Lojërat Olimpike me Kanadanë

Një mundës nga Kosova kërkon Lojërat Olimpike me Kanadanë

Arsim Maxhera Arsim Maxhera 25 March 2020 15:19

Ligrit Sadiku ka përkrahur vendimin e Kanadasë që mos të dërgojë sportistët në Lojërat Olimpike, nëse ngjarja do të mbahej në korrik dhe gusht të këtij viti, ashtu si ishte planifikuar.

Qëndrimi i Kanadasë bëri që presioni të rritej edhe më tej në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, që të martën vendosi të shtyjë Lojërat Olimpike, që më së largu do të mbahen në verën e vitit 2021. Është hera e parë që shtyhet një edicion i Lojërave Olimpike.

Kjo, ndër të tjera, nënkupton më tepër gjasa edhe për mundësin nga Kosova që të sigurojë normën olimpike.

Ligrit Sadiku në dhjetor të vitit të kaluar fitoi garën kualifikuese të Kanadasë për LO. Kjo nënkuptonte se ai për herë të parë do t’i bashkohej ekipit të Kanadasë në mundje. E përfaqësoi vendin me sport shumë të zhvilluar, në turneun kualifikues Pan-Amerikan të mbajtur në Otawa nga 13 deri më 15 mars. Nuk ia doli të siguroi normë olimpike, por rastin tjetër do ta kërkojë në turneun kualifikues botëror.

Ai është dashur të mbahet në qershor, por është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në fakt pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë sportin dhe ka bërë, ndër të tjera, që të shtyhet edhe “Tokio 2020”.

Për vendimin për të shtyrë Lojërat Olimpike, Sadiku ka folur për “cbc.ca” njërën prej ueb-faqeve më të lexuara në Kanada.

“Ua mundëson sportistëve si unë, që jemi në proces të kualifikimit, që të jemi të qetë, të mos brengosemi për stërvitjet në këto rrethana dhe të fokusohemi që të menaxhojmë situatën e krijuar në komunitetin tonë”, ka thënë Ligrit Sadiku. Ai ka theksuar se është shumë vështirë të ushtrohet në këto rrethana të krijuara.

Për Koha.net, Sadiku ka thënë të mërkurën se shpreson shumë që në turneun kualifikues botëror të sigurojë normën olimpike. Ai garon në kategorinë deri 57 kilogramë, në stil të lirë.

“Për herë të parë për Kanadanë kam garuar në mars. E kam pasur shortin shumë të vështirë, konkurrenca ishte shumë e madhe dhe nuk ia dola të sigurojë normën. Por i kam 23 vjet dhe jam i sigurtë se do të kem raste tjera”, ka thënë Sadiku për Koha.net.

Ai ka treguar se thuajse çdo vjet vjen për pushim në Kosovë. Ka treguar se vazhdimisht gjatë verës ka zhvilluar stërvitje në Prishtinë, por se nuk ka ndjerë përkrahje që t’i bashkohet përfaqësueses së Kosovës. Ai e ka ëndërr që të garoi për Kosovën në të ardhmen.

“Në Kanada jemi që 20 vjet. Prej luftës jemi këtu. Unë i kam pasur dy vjet e gjysmë. Ne jemi nga Lipjani por kur vijë në pushim shkoj për të ushtruar në Prishtinë. Nuk është që më kanë ofruar ndonjë rast, por ndoshta edhe vet është dashur të ofrohem më shumë”, ka treguar Sadiku.

Ai ka nëntë vjet që merret me mundje. Thotë se i ka pëlqyer gjithnjë ky sport. Shton se dëshiron të ketë fatin e tij në dorë. Për këtë nuk e ka gjetur veten në futboll, pasi suksesi është varur edhe nga të tjerët, jo vetëm nga paraqitja e tij.

“Ka qenë shumë vështirë të arrijë të bëhem pjesë e ekipit përfaqësues të Kanadasë. Ka shumë mundës të mirë në Kanada. Pos që merrem me mundje jam edhe në përfundim të studimeve në Universitet. Në maj diplomoj në kineziologji dhe kinezioterapi”, ka treguar Ligrit Sadiku.

Ai aktualisht është në karantinë në Kanada. Shpreson që shpejtë të kaloj kjo gjendje dhe të kthehet në stërvitje, me shpresë që të sigurojë biletën për Lojërat Olimpike.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme