Prej se ka shpërthyer në skenën e futbollit në vitin 2016, Kai Havertz po vlerësohet si njëri prej futbollistëve më të talentuar në Gjermani.
Mesfushori i Bayer Leverkusenit, tashmë ka tërhequr vëmendjen e të gjitha skuadrave të mëdha evropiane, pavarësisht se kartoni i tij vlerësohet deri në 100 milionë euro. Havertzi këtë verë pritet të largohet nga Leverkuseni, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe vetë. Sipas tij, largimi nga Leverkuseni do t’i mundësojë të zhvillohet edhe më shumë si futbollist, shkruan The Sun.
“Unë jam i gatshëm për të bërë hapin e madh në karrierë, pasi më pëlqejnë sfidat. Leverkuseni është një ekip i shkëlqyeshëm dhe ndihem mirë, por ambicia ime është të zhvillohem edhe më shumë si lojtar dhe për këtë arsye dua ta bëj hapin e ardhshëm”, ishin fjalët e Havertzit.
Me aftësitë e tij, Havertzi shihet si një përforcim i qëlluar për ekipet e mëdha evropiane. Edicionin e fundit, Havertz shënoi 17 gola në Bundesligë, më shumë se çdo tinejxher tjetër. Ai ka kontratë me Leverkusenin deri në vitin 2022, kurse këtë edicion që është pezulluar shkak i koronavirusit, Havertz ka realizuar dhjetë gola dhe ka asistuar tetë herë në 34 ndeshje në të gjitha garat, transeton KOHA.
Edhe pse është vetëm 20-vjeçar, Havertz nga ekspertët e futbollit vlerësohet si një kombinim mes mesfushorëve Mesut Oezil, Michael Ballack e Toni Kroos. I lindur në Aachen, me një baba polic dhe nënën avokate, Havertz futbollin e kishte në gjak. Babai dhe gjyshi i tij kanë luajtur në nivelin amator të futbollit në Gjermani derisa Kai si fëmijë do të luante me ta në një fushë futbolli që ishte vetëm 100 metra larg shtëpisë së tij.
Deri në moshën 4-vjeçare, Havertz iu bashkua ekipit të tij lokal, Alemania Mariadorf, ku gjyshi tjetër i tij, ishte president. Për shkak të aftësive të jashtëzakonshme, Kai luante me djem shumë më të vjetër se ai.
Në moshën 9-vjeçare, ai shkëlqeu në turneun “Geissbock-Cup” të mbajtur në Koeln, ku menjëherë skautët e ekipeve të Bundesligës e shënuan emrin e tij për të ardhmen. Dhe, asnjëri prej atyre që e pati në fletore emrin Kai Havertz nuk ishte gabim.
Koelni dhe Borussia Moenchegladbachu ishin vetëm dy nga klubet gjermane që kishin shprehur interesim për Havertzin, por ishte Bayer Leverkuseni që bëri lëvizjen i pari.
Me vetëm 11 vjet, Havertzi iu bashkua të rinjve të Leverkusenit, i cili kryesohej nga koordinatori i atëhershëm, Juergen Gelsdorf. Havertz u stërvit në “Kurtekotten”, një qendër stërvitore për të rinjtë që konsiderohej si një nga më të mirat në Gjermani në fillim të viteve 2000.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.