Sport

Dortmundi rrit presionin te Bayerni

Dortmundi rrit presionin te Bayerni
Foto: Reuters
17:35

Dortmundi rrit presionin te Bayerni

Borussia Dortmundi ka rritur presionin te Bayern Muencheni në garën për titull të kampionit në Bundesligë.

Dortmundi të shtunën pasdite fitoi 2:0 në udhëtim ndaj Wolfsburgut, në kuadër të xhiros së 27-të të kampionatit gjerman. Dortmundi tani është i dyti me 57 pikë, vetëm një më pak se Bayerni që prinë në tabelë. Bayerni nga ora 18:30 luan në shtëpi ndaj Eintracht Frankfurtit.

Raphael Guerreiro shënoi për 1:0 në minutën e 32-të, ndërsa Achraf Hakimi vendosi rezultatin përfundimtar në minutën e 78-të.

Bayer Leverkuseni ka dalë në vend të tretë, falë fitores 3:1 në udhëtim ndaj Borussia Moenchengladbachut. Leverkuseni i ka 53 pikë, ndërsa Moenchengladbachu renditet i katërti me 52 pikë. Kai Havertz shënoi dy gola, të dytin nga penalltia, kurse Sven Bender shtoi një gol për Leverkusenin. Marcus Thuram shënoi golin e vetëm për Moenchengladbachun.

Werder Bremeni fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Freiburgut, të cilës skuadër iu anulua një gol në fund. Ndërkohë Paderborni e Hoffenheimi barazuan 1:1. Të premten Hertha fitoi 4:0 ndaj Union Berlinit.

16:24

Dortmundi po udhëheq pas pjesës së parë

Borussia Dortmundi po vazhdon garën për titull në Bundesligën e Gjermanisë në futboll. Dortmundi po udhëheq 1:0 pas pjesës së parë të ndeshjes ndaj Wolfsburgut. Wolfsburgu është vendas.

Golin për Dortmundin e ka shënuar Raphael Guerreiro në minutën e 32-të. Nëse fiton këtë ndeshje, Dortmundi do të jetë vetëm një pikë larg Bayernit, që luan më vonë të shtunën.

Pas pjesës së parë të ndeshjeve, Bayer Leverkuseni po udhëheq 1:0 ndaj Borussia Moenchengladbachut, njëjtë si Werder Bremeni ndaj Freiburgut. Rezultati në ndeshjen Paderborn – Hoffenheim është 1:1.

Nga ora 18:30 luhet ndeshja në mes të Bayernit dhe Eintracht Frankfurtit.

Milot Rashica po luan për Werderin, Admir Mehmedi për Wolfsburgun dhe Klaus Gjasula për Paderbornin. Amir Abrashi është në stol te Freiburgu.