Sport

Bayerni fiton derbin dhe i afrohet titullit

Bayerni fiton derbin dhe i afrohet titullit
Foto: Reuters
20:36

Bayerni fiton derbin dhe i afrohet titullit

Bayerni ka bërë hap të madh drejt mbrojtjes së titullit të kampionit të Gjermanisë.

Të martën mbrëma Bayerni fitoi 1:0 ndaj Borussias në Dortmund, në derbin e madh të xhiros së 28-të të Bundesligës.

Goli i bukur i shënuar nga Joshua Kimmich në fund të pjesës së parë vendosi sfidën me shumë peshë. Kimmich realizoi me parabolë.

Bayerni udhëheq në tabelë me 64 pikë. Dortmundi vazhdon të mbetet në pozitë të dytë, por tani me shtatë pikë më pak se lideri.

Ndeshja është luajtur pa shikues, ndërsa për teleshikuesit është ofruar zhurma e incizuar e tribunave.

Deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe tetë xhiro. Bayerni është në seri prej shtatë fitoreve.

19:21

Bayerni në epërsi pas pjesës së parë

Bayern Muencheni po udhëheq pas pjesës së parë në derbin ndaj Borussia Dortmundit.

Rezultati i ndeshjes që po luhet në Dortmund është 1:0 në të mirë të Bayernit.

Bayerni është në rrugë të mirë për të bërë hap thuajse vendimtar në garën për titull të kampionit të Gjermanisë. Nëse e fiton ndeshjen do të ketë epërsi prej shtatë pikëve ndaj Dortmundit, që llogaritet rivali kryesor për titull.

Joshua Kimmich ka realizuar golin për Bayernin. Ai shënoi në minutën e 43-të. Ishte gol i bukur me parabolë.

Ndeshja Dortmund – Bayern është e para e xhiros së 28-të të Bundesligës gjermane.