17:11

Halimi lëndohet në ndeshjen në të cilën Paqarada shkëlqeu

Reprezentuesi i Kosovës, Besar Halimi është lënduar në ndeshjen e së shtunës në mes të Sandhausenit dhe Hannoverit.

Ndeshja e Bundesligës 2 u fitua 3:1 nga Sandhauseni, ndërsa mbrojtësi i majtë i Kosovës, Leart Paqarada asistoi në golin e dytë. Madje Paqarada është vlerësuar lartë për paraqitjen nga sajti zyrtar i Sandhausenit. Krosimet nga këndi të Paqaradës kanë paraqitur rrezik të madh për mbrojtjen e Hannoverit.

Paqarada ka kompletuar ndeshjen si mesfushor i krahut të majtë, kurse mesfushori Besar Halimi është aktivizuar në minutën e 55-të. Por ai në minutën e 73-të mori lëndim të kofshës, ndonëse nuk kishte kontakt me ndonjë futbollist kundërshtarë. Halimi mori tretman, por nuk mundi të vazhdojë dhe u zëvendësua në minutën e 75-të.

Te Hannoveri prej minutës së 74-t luajti reprezentuesi tjetër i Kosovës, Florent Muslija.

14:57

Paqarada me asistim në fitoren e Sandhausenit ndaj Hannoverit

Mbrojtësi Leart Paqarada ka ndihmuar skuadrën e tij, Sandhausen, me një asistim në fitoren ndaj Hannoverit në Bundesliga 2.

Vendasit shënuan fitore prej 3 me 1, transmeton KOHA.

Baida i dha epërsinë vendasve, më pas atë e dyfishoi Nauber pas asistimit nga Paqarada në minutën e 56.

Mysafirët e ngushtuan rezultatin pas dy minutave përmes Guidettit.

Megjithatë, vendasit shënuan edhe njëherë përmes Turpitzit në minutën e 82.

Sandhausen në vendin e dhjetë ka 36 pikë, derisa Hannoveri në një pozitë më poshtë ka po aq pikë.