Sport

Prishtina kërkon fitoren e gjashtë rresht, Llapi këndelljen

Prishtina kërkon fitoren e gjashtë rresht, Llapi këndelljen

Prishtina do ta kërkojë fitoren e gjashtë radhazi dhe të katërtën në kampionat prejse kanë rifilluar garat në futbollin e Kosovës. Përballë Prishtinës do të jetë Llapi, skuadër që nuk po kalon formë të mirë, pasi ka pësuar dy humbje rresht. Ndeshja që ka epitetin e derbit të xhiros së 26-të të Superligës do të zhvillohet të enjten (sot) në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës, takim që nis nga ora 16:45.

Për Prishtinën pikët do të kenë vlerë të madhe, pasi është në garë për titull të kampionit dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores do të ishte hap prapa për ekipin nga kryeqyteti. Zë vendin e dytë në tabelë me 50 pikë të mbledhura. Në anën tjetër, Llapi, me humbjet e pësuara, nuk është më në garë as për pozitat që dërgojnë në garat evropiane. Renditet i gjashti me 37 pikë. Megjithatë, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka deklaruar për “Kohën” se pavarësisht formës jo të mirë ndaj Prishtinës do të hyjnë për fitore. I pari i shtabit teknik të llapjanëve thotë se do të takohen me ekipin më të mirë të Prishtinës pasluftës.