Sport

Reimsi synon rritjen në “krahët” e yjeve kosovarë

Reimsi synon rritjen në “krahët” e yjeve kosovarë
Foto: Driton Paqarada

Rrugëtimi i Valon Berishës në futbollin evropian ka qenë i gjatë. Prej Red Bull Salzburgut te Lazio, pastaj te Fortuna Duesseldorfi përpara se të përfundojë te ekipi nga Ligue 1, Stade de Reims ku edhe po e kërkon shkëlqimin. Berisha, të enjten mbrëma, është prezantuar zyrtarisht te skuadra franceze, me të cilën ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2024 dhe do të bartë fanellën me numrin 14. Te Reimsi, Berisha është transferuar nga Lazio, ekip që në fillim të këtij viti e huazoi te Fortuna, që nuk ia doli të sigurojë mbetjen në Bundesligë. Berisha te skuadra e Reimsit do të jetë bashkëlojtar me reprezentuesin tjetër të Kosovës, Arbër Zenelin. Edhe Zeneli, ngjashëm si Berisha, po e kërkon shkëlqimin te Reimsi pas karrierës te Elfsborgu dhe Heerenveeni. Kështu që tek ekipi nga Ligue 1 janë bashkuar dy prej lojtarëve kryesorë të Kosovës, të cilët janë të vetmit që kanë mundur të përfaqësojnë shtete të tjera në kohën kur vendosën të bëhen pjesë e “dardanëve”.

Berisha debutoi me Kosovën në muajin gusht të vitit 2016, duke shënuar gol qysh në debutim kundër Finlandës në udhëtim, në kuadër të eliminatoreve për Botërorin e vitit 2018. Berisha për një periudhë ka bartur edhe shiritin e kapitenit te “dardanët”. Por, para se të debutonte te Kosova, Berisha kishte regjistruar 20 paraqitje me ekipin A të Norvegjisë, si dhe kishte luajtur me gjeneratat e reja të këtij vendi – nga U15 deri më U23. 27-vjeçari karrierë ka bërë edhe në ekipet norvegjeze Viking e Egersung, kurse deri më tash te Kosova ka regjistruar 18 paraqitje dhe ka realizuar tre gola. Ndërkohë, Zeneli ka luajtur tek ekipet U17, U18 e U21 të Zvicrës dhe ishte kandidat për ekipin A kur mori vendim për ta përfaqësuar Kosovën, me të cilën debutoi një muaj më vonë se Berisha. Ai me fanellën e Kosovës ka shtatë gola në 18 paraqitje. Zeneli është pjesë e Reimsit që nga janar i vitit të shkuar dhe ka kontratë me ekipin francez deri në qershorin e vitit 2023. Kështu që dyshja e Kosovës pritet të jetë shtyllë e fortë e Reimsit në edicionin e ri në Ligue 1, që nis më 22 gusht, me synimin për të siguruar një vend në garat evropiane. Në fakt, Berisha e Zeneli janë futbollistët e vetëm të Kosovës që luajnë në elitën e futbollit francez. Megjithatë, te Reimsi po llogaritin shumë në Berishën, të cilin po e vlerësojnë si një përforcim të rëndësishëm për sezonin 2020/21. Këtë e ka pranuar edhe drejtori sportiv i këtij ekipi pas prezantimit të Berishës. Madje, Berishën e ka quajtur si një lider të vërtetë të mesfushës.