Sport

Real Madridi, dy pikë larg titullit të kampionit

Real Madridi, dy pikë larg titullit të kampionit

Skuadrës së Real Madridit i nevojiten vetëm edhe dy pikë për ta fituar titullin e kampionit në La Liga, kur kanë mbetur edhe dy xhiro të pazhvilluara deri në fund të këtij edicioni, ka shkruar “Marca” të martën. E titullin Reali mund ta konfirmojë të enjten mbrëma, në ndeshjen e xhiros së parafundit në të cilën përballet në shtëpi me Villarrealin. Kjo ndeshje, por edhe të gjitha duelet e xhiros së 37 të La Ligas, zhvillohet të enjten prej orës 21:00.

Real Madridi prin në tabelë me 83 pikë, katër më shumë se Barcelona që në dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni që rifilloi pas një pauze prej tre muajve shkaku i pandemisë COVID-19, do të përballet me Osasunan në shtëpi dhe Alavesin në udhëtim. Ky edicion i La Ligas do të mbyllet të dielën kur luhet xhiroja e 38-të, kurse Reali nëse nuk e siguron titullin ndaj Villarrealit, e ka mundësinë që një gjë të tillë ta bëjë në duelin e fundit që e zhvillon në udhëtim ndaj Leganesit. Për Realin, ky do të jetë titulli i parë pas edicionit 2016/17 dhe i 34-ti në histori të klubit. Te skuadra madrilene tashmë janë përgatitur për të festuar pas ndeshjes me Villarrealin, ekip që renditet në pozitën e pestë në tabelë dhe po lufton për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës për edicionin e ri.