Sport

Skuadrave që luajnë në Evropë u lejohen stërvitjet

Skuadrave që luajnë në Evropë u lejohen stërvitjet
Foto: Driton Paqarada

Skuadrave që do ta përfaqësojnë futbollin kosovar në kupat evropiane për edicionin 2020/21 do t’u lejohen stërvitjet, përkundër masave të reja që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e pandemisë COVID-19. Kështu ka bërë të ditur të premten Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu, pas bisedave që ka pasur me krerët e institucioneve përkatëse.

Kampionia Drita, nënkampioni Gjilani dhe Prishtina si fituese e Kupës së Kosovës, do të luajnë në kupat evropiane gjatë këtij muaji. Drita do të paraqitet në turneun preliminar të Ligës së Kampionëve, derisa Gjilani e Prishtina do të luajnë ndeshjet parakualifikuese të Ligës së Evropës. Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka publikuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së pandemisë të koronavirusit. Në një numër të madh të masave të reja janë përfshirë edhe ato për aktivitetet sportive, ku, siç thuhej në njoftimin qeveritar, “ndalohen veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë shkollat e futbollit dhe sportet e tjera, trajnimet e të gjitha lëmive etj.” Ky vendim ishte vlerësuar i ngutshëm nga komuniteti i futbollit, përfshirë këtu edhe FFK-në, që kishte thënë se do të bëjë të pamundurën që të paktën ekipeve që do të luajnë në Evropë t’u mundësohet të përgatiten për një përfaqësim sa më të denjë.