Sport

Përzgjedhësi i Moldavisë e sheh Kosovën fituese të grupit

Përzgjedhësi i Moldavisë e sheh Kosovën fituese të grupit

Pavarësisht se ka vetëm një pikë pas dy ndeshjeve të zhvilluara në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, përzgjedhësi i Moldavisë, Engin Firat, e sheh Kosovën fituese të grupit të dytë të Ligës C. Firat në një intervistë për uebfaqen “moldfootball”, ka insistuar se Kosova e ka ekipin më të mirë në grup.

Kosova ka barazuar me Moldavinë (1:1) dhe ka humbur nga Greqia (2:1) në ndeshjet e para të Ligës së Kombeve. Firat ka thënë se i është gëzuar shumë barazimit me Kosovën në ndeshjen e luajtur në Parma të Italisë derisa ka shtuar se Kosova ka pësuar nga Greqia për shkak të mungesave të mëdha që i ka pasur në ekip. Kosovës i munguan shumë lojtarë për shkak të situatës së krijuar me koronavirus, ku lojtarët kryesor të “dardanëve” kanë rrezikuar të karantinoheshin nëse do të kishin qëndruar në Kosovë.