4 perditesime
17:36

Distria Krasniqi merr të artën në Budapest

Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Grand Slamin e Hungarisë.

Të premten gjatë ditës në Budapest, në finalen e madhe, xhudisja pejane mposhti argjentinasen Paola Pareto në kategorinë deri në 48 kg.

Për 24-vjeçaren Krasniqi ishte medalja e dytë e artë në Grand Slame në vitin 2020.

Në muajin shkurt ishte e para në podium ne Grand Slamin e Parisit, ndërsa i dyti erdhi pas tetë muajsh. Paola Pareto është kampione olimpike nga Rio 2016.

14:50

Distria Krasniqi në finale të Grand Slamit në Budapest

Xhudistja Distria Krasinqi ka pasur një paraqitje fantastike në Grand Slamin e Budapestit.

Ajo ka arritur të kualifikohet në finale në kategorinë 48 kilogramë, transmeton KOHA.

Në gjysmëfinale Krasniqi e mposhti xhudisten izraelite Shira Rishony.

Kurse në finale ajo do të përballet me argjentinasen, Paula Pareto.

14:07

Distria Krasniqi në gjysmëfinale të Grand Slamit në Budapest

Xhudistja Distria Krasniqi ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinale të Grand Slamit në Budapest.

Për të arritur në gjysmëfinale ajo e mposhti francezen, Shirine Boukli, transmeton KOHA.

Në gjysmëfinale ajo do të përballet me xhudisten izraelite, Shira Rishoni.

12:31

Eliminohet edhe Nakamura, vetëm Krasniqi mbetet në garë

Pas Nora Gjakovës e Flaka Loxhës nga Grand Slami në Budapest është eliminuar edhe xhudisti japonez që e përfaqëson Kosovën, Shigeki Nakamura.

Nakamura, që garon në kategorinë deri 66 kilogramë, u mposht në raundin e dytë nga slloveni Adrian Gomboc, transmeton KOHA.

Ai arriti ta fitojë vetëm meçin e parë ndaj togolezit, Adebayo Frederic Olympio.

Ende në garë mbetet Distria Krasniqi, e cila në kategorinë deri 48 kilogramë, në raundin e dytë e mposhti hungarezen Eva Csernoviczki.

Në raundin tjetër ajo përballet me francezen, Shirine Boukli.

11:58

Gjakova e Loxha eliminohen nga Grand Slami në Budapest

Xhudistet Nora Gjakova e Flaka Loxha janë eliminuar nga Grand Slami që është duke u zhvilluar në Budapest.

Gjakova e Loxha, që garojnë në kategorinë deri 57 kilogramë, u eliminuan në raundin e dytë.

Loxha e fitoi meçin e parë ndaj protugezes Wilsa Gomes, por humbi në të dytin ndaj kanadezes Jessica Klimkait.

Kurse Nora Gjakova raundin e parë e kaloi paluftë, kurse humbi në raundin e dytë nga francezja, Helene Receveaux.

Në garë ende mbesin Distria Krasniqi e Shigeki Nakamura.

Krasniqi nuk pati kundërshtar në raundin e dytë, kurse në raundin e dytë në kategorinë 48 kilogramë do të përballet me hungarezen Eva Csernoviczki.

Kurse Nakamura në meçin e parë fitoi ndaj togolezit Adebayo Frederic Olympio. E në ndeshjen e radhës do të përballet me sllovenin Adrian Gomboc.