2 perditesime
14:56

Akil Gjakova eliminohet nga Grand Slami i Budapestit

Akil Gjakova dhe Laura Fazliu nuk kanë arritur t’i sigurojnë Kosovës medalje në ditën e dytë të Grand Slamit të Budapestit në Hungari.

Që të dy janë eliminuar nga gara në luftërat e dyta që i patën, transmeton KOHA.

Gjakova në kategorinë deri në 73 kg, e nisi mirë garën me fitoren me “Ippon” kundër gjeorgjianit Lasha Shavdatuashvili. Megjithatë, 24-vjeçari nga Peja u mposht në takimit e radhës që e pati kundër Petru Pelivan nga Moldavia. Moldavi fitoi me Ippon. Gjakova një medalje të artë e ka në Grand Slamin e Parisit në vitin 2018, dhe një të argjendtë më Grand Slamin e Abu Dhabit, në po të njëjtin vit.

Laura Fazliu garoi në kategorinë deri në 63 kg. Njësoj si Gjakova, edhe Fazliu fitoi me Ippon në luftën e parë kundër serbes Anja Obradoviq. Në të dytën, humbi me Waza-ari nga hungarezja Szofi Ozbas.

Medalje deri tani në Budapest ka fituar vetëm Distria Krasniqi, që doli e para të premten.

Të dielën do të garojë edhe pjesëmarrësja e fundit nga Kosova, xhudistja tjetër që drejtohet nga Driton Kuka, Loriana Kuka.

Loriana do garojë në kategorinë deri në 78 kg.

13:48

Fazliu eliminohet, Gjakova fiton meçin ndaj gjeorgjianit

Xhudistja Laura Fazliu është eliminuar nga Grand Slami në Budapest.

Ajo humbi në meçin e dytë ndaj xhudistes hungareze, Szofi Ozbas, transmeton KOHA.

Derisa Akil Gjakova, në 73 kilogramë, ka fituar raundin e dytë ndaj gjeorgjianit Lasha Shavdatuashvili.

Në raundin e tretë ai do të përballet me xhudistin nga Moldavia, Petru Pelivan.

11:34

Laura Fazliu me lehtësi mposht xhudisten serbe në Budapest

Sot është duke u zhvilluar dita e dytë e Grand Slamit në Budapest, ku janë duke garuar xhudistët kosovarë Laura Fazliu e Akil Gjakova.

Në meçin e parë Laura Fazliu shënoi fitore spektakolare ndaj xhudistes serbe, Anja Obradoviq, transmeton KOHA.

Fazliu, që garon në kategorinë 63 kilogramë, e fitoi këtë meç me ippon.

Më raundin e dytë ajo do të përballet me hungarezen Szofi Ozbas.

Kurse Akil Gjakova, në 73 kilogramë, raundin e parë e kaluar pa luftë, derisa në të dytin përballet me gjeorgjianin Lasha Shavdatuashvili.