1 perditesime
Sport

Kosova reziston pjesën e parë, por në të dytën holandezet dëshmojnë pse janë superfuqi

Kosova reziston pjesën e parë, por në të dytën holandezet dëshmojnë pse janë superfuqi
Foto: FFK
20:29

Kosova reziston pjesën e parë, por në të dytën holandezet dëshmojnë pse janë superfuqi

Ashtu siç pritej, Kosova i ka përfunduar me humbje të thellë eliminatoret e para të saj për Evropian. Të martën në Breda, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll (femrat) humbi 6:0 nga Holanda, kampionia në fuqi e Evropës dhe nënkampione e botës.

Pjesa e parë dha shpresë se Kosova, megjithatë, mund të shmangte humbjen e lartë nga holandezet. Pjesa e parë nuk dha gola. Por në të dytën Holanda shfaqi potencialin që ka. Shënoi plot gjashtë gola dhe nuk pësoi asnjë.

Me 6:0, Holanda kishte fituar edhe në Prishtinë, më 27 tetor. Holanda ka fituar të gjitha dhjetë ndeshjet e kësaj kampanje dhe ka përfunduar e para në grup me 30 pikë. Pra ka bilanc maksimal.

Kosova përfundoi e katërta me 10 pikë nga 10 ndeshje. Ka fituar 10 prej 12 pikëve në përballjet me Turqinë e Estoninë, kurse ndaj Holandës, Rusisë e Sllovenisë ishte inferiore.

Te Holanda kanë pranuar se gjërat nuk kanë rrjedhur ashtu siç pritej në ndeshjen ndaj Kosovës. Holanda shumë më herët ka siguruar kualifikimin në Evropianin e vitit 2022, por i duhej fitorja ndaj Kosovës për të mbyllur për herë të parë një kampanjë kualifikuese me pikë maksimale. Holanda ka shënuar 48 gola në dhjetë ndeshjet kualifikuese, ndërsa ka pranuar vetëm tri.

Lojtaret e Kosovës kanë qëndruar në mbrojtje në stadiumin në Breda dhe kanë provuar të mbesin të pamposhtura. Këtë e arritën në pjesën e parë. Por me të nisur pjesa e dytë, realizoi Katje Snoeijs. Ajo realizoi tre gola në këtë sfidë. Dy i shënoi Jill Roord e një Lieke Martens.

“E kemi ditur që është një lojë shumë e vështirë kundër kampiones së Evropës. Jemi munduar që të përgatitemi për këtë ndeshje, por kur kundërshtari është shumë më i mirë, atëherë nuk mund të bëhet më shumë. U mbajtëm në pjesën e parë, por përgatitja fizike dhe niveli i lartë i ekipit vendës pamundësuan që të mbajmë rezultatin në pjesën e dytë. U munduam të bëjmë disa ndryshime, përkushtimi ishte maksimal, por lojtaret ranë në koncentrim dhe pranuam disa gola të lehtë. Por Holanda është superfuqi botërore dhe për momentin jemi të pabarabartë”, ka thënë selektorja e Kosovës, Afërdita Fazlija.

Holandezja Snoeijs tre gola i kishte realizuar edhe në Prishtinë.

“Me këso ekipesh luan shumë rreth zonës. Kjo gjithnjë është mirë për një sulmuese, pasi krijohen shumë raste për gol. Goli i dytë ishte më i miri, pasi punuam si ekip”, ka thënë Snoeijs. Ajo ka pranuar se ishin të frustruara pas pjesës së parë.

“Kemi shkuar në zhveshtore të dëshpëruara dhe të frustuara. Por nuk kemi ndryshuar shumë në pjesën e dytë. Ju e dini që një ekip si Kosova nuk do të rezistojë për 90 minuta. E kemi ditur se rastet do të vijnë dhe se është dashur të kemi durim. Presioni është rritur dhe golat erdhën”.

Kosova ka rritur bazën e lojtareve dhe në ciklin e ardhshëm eliminator do të kërkojë më shumë. Por niveli që kërkohet për kualifikim në ndonjë ngjarje të madhe është ende i largët.

19:21

Mbyllet pa gola pjesa e parë e ndeshjes Holandë – Kosovë

Pjesa e parë e ndeshjes së futbollit të femrave mes Holandës dhe Kosovës, ka përfunduar pa gola.

Futbollistet e Kosovës janë duke u mbajtur mirë kundër kampioneve të Evropës në ndeshjen e Grupit A të eliminatoreve.

Kosova do të përfundojë në vendin e katërt në Grupin A të eliminatoreve. Grupin e ka fituar tashmë Holanda.