1 perditesime
Sport

Vazhdojnë telashet për Rashicën, mungon deri në fund të janarit

Vazhdojnë telashet për Rashicën, mungon deri në fund të janarit
19:54

Vazhdojnë telashet për Rashicën, mungon deri në fund të janarit

Ylli i përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica ka pësuar edhe një tjetër lëndim. Rashica për shkak të lëndimit të kofshës, të mërkurën është konfirmuar se ai do të mungojë deri në fund të janarit. Është lëndimi i dytë i tij për një periudhë të shkurtër.

Në fakt, ka pak kohë që Rashica është kthyer nga lëndimi, të cilin e pësoi gjatë ndeshjes që Kosova e luajti kundër Moldavisë në Itali, në kuadër të Ligës së Kombeve. Ky lëndim bëri që Rashica t’i mungojë Werderit në gjashtë ndeshje. E krahas Werderit, Rashica i mungoi edhe Kosovës në ndeshjet e ardhshme, përfshirë këtu edhe atë kundër Maqedonisë së Veriut në kuadër të gjysmëfinaleve të plejofit të Ligës së Kombeve. Këtë vit, Kosovës i mungoi Rashica në shtatë prej tetë ndeshjeve të luajtura. Ndërkohë, ishte Werderi që njoftoi të mërkurën për lëndimin e Rashicës dhe mungesën e tij prej gati dy muajve.

“Milot Rashica ka marrë një lëndim të kofshës që do ta mbajë jashtë fushës deri në fund të janarit. Shërim të shpejtë Milot”, ka shkruar Werderi.

Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë trajneri i Werderit, Florian Kohfeldt. Në të vërtetë, Rashica u dëmtua të martën në stërvitje, ndërsa të mërkurën gjatë ditës pati shpresa se nuk bëhet fjalë për lëndim të rëndë. Sidoqoftë, pas testeve më të thella e që rezultatet dolën të mërkurën pasdite, u bë e ditur se sulmuesi i Kosovës do të mungojë për një kohë më të gjatë.

“Më vjen shumë keq për Milotin, sepse ai ishte vërtet në gjendje të luajë pas dëmtimit të tij të fundit dhe po e merrte formën. Është lajm i keq që ai do të na mungojë për një kohë më të gjatë pasi është futbollist cilësor”, deklaroi Kohfeldt.

Rashica këtë edicion ka regjistruar vetëm pesë paraqitje për ekipin gjerman, kurse para se t’i konfirmohej lëndimi i fundit, te Werderi insistuan se gjatë janarit nuk do të largohet asnjë futbollist. Këtë e konfirmoj edhe drejtori sportiv Frank Baumann, duke bërë të ditur se edhe Rashica do të mbetet në klub deri në fund të këtij sezoni. Rashica ishte afër largimit nga ekipi në afatin kalimtar veror, por nuk arriti të bënte një gjë të tillë. Atij i dështoi në momentet e fundit shitja te skuadra tjetër e Bundesligës, Bayer Leverkusen, me të cilën në parim kishte arritur marrëveshje. Ndërsa ditëve të fundit është raportuar se ekipi nga Premier League, Aston Villa nuk ka hequr dorë nga transferimi i tij në janar. Interesim është raportuar se kanë pasur edhe disa skuadra të tjera gjermane, italiane dhe angleze. Te Werderi insistonin se Rashica ka vlerë të madhe dhe se nuk mund ta lirojnë lehtë në drejtim të ndonjë skuadre tjetër pa paguar shumën e kërkuar. 24-vjeçari nga Vushtrria tani pritet të mbetet deri në verë te skuadra e Werder Bremenit. Ekipi nga Bundesliga për shërbimet e Rashicës kërkonte rreth 20 milionë euro. Kontrata e Rashicës me Werderin skadon në vitin 2022. Në këtë edicion, Rashica ka vetëm një asistim në 279 minuta lojë në total.

Te skuadra e Werderit, Rashica u transferua në janar të vitit 2018 nga ekipi elitar i Holandës, Vitesse. Ai ka luajtur edhe në futbollin e Kosovës. Vlera e tij u rrit pas paraqitjeve të mira edicionin e kaluar te Werderi, ku pati shënuar tetë gola dhe pati kontribuar me shtatë asistime. Prej vitit 2016, Rashica është pjesë e Kosovës, ku ka shënuar katër gola në 25 paraqitje.

17:30

Rashica mungon deri në janar

Ylli i Kosovës, Milot Rashica, do të mungojë deri në janar, pas lëndimit të kofshës.

Klubi i Rashicës, Werder Bremen, në faqen në Facebook, ka konfirmuar lëndimin e sulmuesit.

“Milot Rashica ka marrë një lëndim të kofshës që do ta mbajë jashtë fushës deri në fund të janarit. Shërim të shpejt Milot”, ka shkruar Werderi.

Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë trajneri i Werderit, Florian Kohfeldt. Rashica u dëmtua të martën në stërvitje, ndërsa të mërkurën gjatë ditës pati shpresa se nuk bëhet fjalë për lëndim të rëndë. Sidoqoftë, pas testeve më të thella e që dolën të mërkurën pasdite, u bë e ditur se sulmuesi i Kosovës do të mungojë për një kohë më të gjatë.

“Më vjen shumë keq për Milotin sepse ai ishte vërtetë në gjendje të luajë pas dëmtimit të tij të fundit dhe po e merrte formën. Është lajm i keq që ai do të na mungojë për një kohë më të gjatë pasi është futbollist cilësor”, deklaroi Kohfeldt. Rashica ishte afër largimit nga ekipi në afatin kalimtar veror, ndërsa pati shpresa nga Werderi se do të fitojë para nga shitja e Rashicës në afatin kalimtar të janarit.

24-vjeçari tani pritet të mbetet deri në verë te skuadra e Werder Bremenit. Ekipi nga Bundesliga për shërbimet e Rashicës kërkonte rreth 20 milionë euro. Kontrata e Rashicës me Werderin skadon në vitin 2022. Në edicionin e sivjetë, Rashica i ka luajtur 5 ndeshje me gjithsej 279 minuta, dhe ka regjistruar vetëm një asistim.