Sport

Eden Hazard rrezikon t’i bashkohet listës së yjeve që dështuan te Reali

Eden Hazard rrezikon t’i bashkohet listës së yjeve që dështuan te Reali
 

 Secili futbollist që transferohet në “Santiago Bernabeu” e ka parasysh se për të luajtur te Real Madridi ka më shumë presion se në çdo klub tjetër. Tifozët, mediat dhe drejtuesit e Real Madridit presin shumë nga lojtarët e mëdhenj që i transferojnë. Reali nuk heziton të paguajë dëmshpërblime të majme për angazhimin e yjeve.

Mirëpo, jo gjithmonë shkojnë gjërat sipas planit. Dëmshpërblimi i madh ka tendencë të garantojë cilësi të madhe, por ka disa yje që nuk kanë arritur ta dëshmojnë veten me fanellën e Real Madridit. Mesfushori belg Eden Hazard është i fundit prej tyre, që po lufton për të arsyetuar çmimin e tij. Në verën e vitit të shkuar, Hazard la Chelsean për t’iu bashkuar Real Madridit për një shumë prej 150 milionë eurosh, por deri më tash ai nuk ka bindur. Në edicionin e parë Hazard u përball me lëndime të shumta dhe pati vetëm 22 paraqitje për Realin, derisa mungoi në 29 ndeshje. Ndërsa këtë edicion, kur pritjet ishin të mëdha prej tij, Hazard sërish po dështon. Ka munguar në nëntë ndeshje të këtij edicioni derisa lëndimi i fundit do të thotë që ai nuk do të mund të kthehet edhe për një kohë në fushë. Ai këtë edicion ka vetëm gjashtë paraqitje për Realin në të gjitha garat.