2 perditesime
23:32

Athletic Bilbao fiton Superkupën, mposht Barçën në finale

Athletic Bilbao ka fituar Superkupën e Spanjës në futboll. Bilbao të dielën mbrëma në finale e mposhti Barcelonën me rezultatin 3:2.

Ndeshja u vendos pas vazhdimeve. Pas pjesës së parë rezultati ishte 1:1, ndërsa pas 90 minutave shifrat ishin 2:2.

Inaki Williams shënoi golin vendimtar në minutën e katërt të kohës shtesë.

Athletic Bilbao për herë të tretë ka fituar Superkupën. Herën e parë e kishte fituar në vitin 1984, ndërsa për herë të dytë në vitin 2015.

Skuadra më e suksesshme në Superkupë mbetet Barcelona me 13 trofe. Real Madridi ka 11 trofe.

Në gjysmëfinale të këtij edicioni, Bilbao e mposhti Real Madridin me 2:1. Ndërsa Barcelona pas penalltive kishte eliminuar Real Sociedadin.

Barcelonës në ndeshjen finale me karton të kuq iu përjashtua Lionel Messi. Ai u përjashtua direkt me të kuq për goditje të një lojtari kundërshtar.

22:57

Ndeshja e Superkupës shkon në vazhdime

Ndeshja e Superkupës së Spanjës në mes të Barcelonës dhe Athletic Bilbaos ka shkuar në vazhdime. Pas 90 minutave nuk ka pasur fitues. Rezultati ishte 2:2.

Sërish Antoine Griezmann realizoi për epërsinë e Barcelonës, 2:1. Ai shënoi në minutën e 77-të. Por Asier Villalibre shënoi në minutën e 90-të për të barazuar shifrat.

21:54

Barcelona po barazon në ndeshjen e Superkupës

Barcelona e Athletic Bilbao po barazojnë pas pjesës së parë në ndeshjen e Superkupës së Spanjës. Rezultati është 1:1.

Antoine Griezmann kaloi Barcelonën në epërsi në minutën e 40-të, ndërsa Oscar de Marcos barazoi shifrat në minutën e 42-të.

Në gjysmëfinale Barcelona eliminoi Real Sociedadin, ndërsa Athletic Bilbao eliminoi Real Madridin.