Sport

Veterani Huntelaar dhe tinejxheri Hoppe synojnë ringjalljen e Schalkes

 

Duesseldorf, 21 janar (AP) – Fati i një prej klubeve më të famshme të futbollit në Gjermani do të varet prej dy sulmuesve me një dallim në moshë prej 18 vjetësh. Kthimi në Schalke i 37-vjeçarit Klaas-Jan Huntelaar nga Ajaxi është një lëvizje dëshpëruese e ekipit që po përpiqet me çdo kusht të sigurojë mbetjen në Bundesligë edhe për sezonin e ardhshëm në mes të trazirave financiare të përkeqësuara që nga përhapja e pandemisë së koronavirusit. Huntelaar te Schalke bashkohet me një yll të papritur, 19-vjeçarin nga Kalifornia, Matthew Hoppe, i cili tashmë është shndërruar në idhull të tifozëve të ekipit pas shpërthimit në ekipin e parë në muajin nëntor të vitit të shkuar dhe pesë golave në tri ndeshjet e tij të fundit. Hoppe ia siguroi fitoren e parë Schalkes në kampionat pas gati një viti, me “hat-trickun” e shënuar kundër Hoffenheimit në ndeshjen e luajtur më 9 janar. Mirëpo, goli i tij në humbjen e të mërkurës nga Koelni (2:1) tregoi se ai nuk mundet i vetëm gjithmonë të sigurojë pikët për Schalken. Pas 17 xhirove të zhvilluara këtë edicion në Bundesligë, Schalke zë vendin e fundit në tabelë me shtatë pikë të mbledhura, sa i ka edhe Maizi që renditet i parafundit.

“Huntelaar do të jetë një ndihmë e madhe për ekipin tonë me përvojën e tij. Besoj se ardhja e tij na ka motivuar të gjithëve për të luftuar deri në fund që të arrijmë synimin që kemi, mbijetesën”, u shpreh Hoppe.