Sport

Peja mposht thellë Bashkimin

Peja mposht thellë Bashkimin
 

KB Peja pa telashe ka triumfuar në ndeshjen hapëse të xhiros së 18-të në Superligën e Kosovës në basketboll kundër skuadrës së Bashkimit. Dueli i zhvilluar të mërkurën në palestrën “Karagaçi” është mbyllur me fitoren e thellë të Pejës, me rezultatin 95:58.

Për Pejën, kjo është fitorja e katërt në pesë ndeshjet e fundit derisa Bashkimi përjetoi humbjen e tretë në katër duelet e fundit. Me këtë fitore, Peja ngritët në kuotën e 30 pikëve derisa Bashkimi ka tri më pak. Dardan Berisha dhe Dion Dixon kanë udhëhequr Pejën drejt këtij triumfi pasi ndeshjen e mbyllën me nga 19 pikë të shënuara për kokë. Ndërsa, me lojë të mirë u veçua edhe Brandon Walters me “double-double” prej 18 pikëve e 13 kërcimeve kurse Marko Peroviq shtoi 15 pikë. Te Bashkimi, vetëm tre basketbollistë arritën të shënojnë pikë dyshifrore. Musab Mala e Endrit Hysenagolli realizuan nga 13 pikë derisa Sean Hoehn shtoi 12 sosh.