4 perditesime
23:36

Chiesa i pakënaqur me paraqitjen e Juventusit

Sulmuesi i krahut, Federico Chiesa, është shprehur i pakënaqur me paraqitjen e Juventusit kundër Portos.

Kampioni i Italisë e humbi ndeshjen e parë të 1/8 së finales në udhëtim kundër Portos me rezultatin 2:1.

Golin e nderit për ekipin italian e shënoi pikërisht Chiesa në fund të ndeshjes.

“Qasja jonë ishte e gabuar prej fillimit të ndeshjes dhe gjërat u vështirësuan për ne edhe më shumë kur pranuam golin e parë qysh në start. Kur nuk je i fokusuar dhe nuk jep më të mirën, atëherë në këtë nivel kundërshtarët mund të ndëshkojnë”, ka thënë Chiesa,. Ai shpreson në paraqitje më të mirë të Juventusit në duelin e kthimit më 9 mars në Torino.

Ndërkohë, mbrojtësi Pepe është ndarë i lumtur me triumfin e Portos

“E kemi studiuar mirë lojën e Juventusit. Ekipi i përmbushi detyrat me përpikëri. Prej fillimit i kemi bërë presion Juventusit duke mos e lënë ta aplikojë lojën që e bën. Në ndeshje të tilla nuk është mirë kur pranon gol në shtëpi, por jemi krenarë me paraqitjen dhe fitoren e arritur kundër një ekipi si Juventusi”, është shprehur Pepe.

23:02

Liga e Kampionëve: Porto mposhti Juven

Skuadra e Portos e ka fituar ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve përballë Juventusit.

Ekipi portugez triumfoi minimalisht në duelin e luajtur në Portugali me rezultatin 2:1. Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave do të luhet muajin tjetër, më 9 mars në “Allianz Stadium” të Torinos.

Ishte skuadra portugeze që kaloi në epërsi në minutën e parë, nëpërmjet iranianit Mehdi Taremi që shfrytëzoi moskuptimin e portierit të Juventusit, Wojciech Szczesny me mesfushorin Rodrigo Bentancur para portës.

Me të filluar pjesëloja e dytë, saktësisht pas 20 sekondave lojë, Porto dyfishoi epërsinë nëpërmjet Moussa Maregas. Deri në fund të takimit, krejt çka arriti Juventusi të bëjë, ishte ta ngushtojë epërsinë e Portos nëpërmjet Federico Chiesas (82’).

22:47

Liga e Kampionëve: Juventusi ngushton rezultatin ndaj Portos

Juventusi ka ngushtuar rezultatin në 2:1 ndaj Portos.

Sulmuesi i krahut, Federico Chiesa, ka shënuar në minutën e 82-të për ekipin nga Serie A. Chiesa u shërbye nga mesfushori Adrien Rabiot, i cili depërtoi nga krahu i majtë.

 

22:15

Liga e Kampionëve: Porto shënon në nismë të pjesës së dytë për 2:0

Porto ka dyfishuar epërsinë ndaj Juventusit pas vetëm 20 sekondave lojë në pjesëlojën e dytë. Ishte sulmuesi nga Mali, Moussa Marega që shënoi nga afërsia, pasi pranoi topin nga Wilson Manafa që depërtoi nga krahu i djathtë.

Porto – Juventus 2:0.

21:53

Liga e Kampionëve: Juventusi në disavantazh në pjesën e parë

Kampioni i Italisë, Juventus, është në disavantazh pas pjesëlojës së parë kundër Portos që po zhvillohet në "Estadio Dragao" të Portugalisë, në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Ekipi vendas kaloi në epërsi në minutën e parë me anë të iranianit Mehdi Taremi që përfitoi nga gabimi të portierit Wojciech Szczesny dhe mesfushorit Rodrigo Bentancur para portës.