Sport

Batatina: Meritorë janë lojtarët, unë vazhdova serinë pozitive ndaj Sokolit

 

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se tashmë po dëshmohet që skuadra e tij është ndryshe prej pjesës së parë të kampionatit. Ai ka thënë se edhe të dielën Llapi tregoi se është skuadër kompakte. Llapi e mposhti Gjilanin me shifrat 3:1.

“Unë mendoj që nga ndeshja e parë për Kupë kemi treguar që është një Llap ndryshe, kemi treguar që jemi skuadër kompakte. Mua si trajner më është dashur kohë të komponojë ekipin. Nuk ka qenë e lehtë përballë Gjilanit, që ka skuadrën më të shtrenjtë. E kemi marrë seriozisht ndeshjen. Kemi dominuar që në pjesën e parë në çdo aspekt”, ka theksuar Batatina pas ndeshjes. “Në pjesën e dytë pranuam gol nga një gjuajte që vështirë mbrohet. Por skuadra prapë reagoi mirë, i kryem detyrat, bëmë më të mirën dhe fituam tri pikë me shumë rëndësi për motivimin e lojtarëve. Kjo është meritë e tyre. Unë e ruajta serinë ndaj Bylbyl Sokolit, që po zgjat tetë vjet. Një bravo të fortë për lojtarët. Shpresoj se do të arrijmë objektivat”, ka theksuar Batatina. Ai ka theksuar se tifozët po i mungojnë shumë Llapit dhe se skuadra e tij nuk është mësuar të luaj pa shikues. Sipas Batatinës, Llapit i duhen ende shumë pikë për të realizuar objektivin që ka, që të jetë në pesëshen e parë.