1 perditesime
15:01

Drenica mposht Niklin, Arbëria Besën

Drenica ka arritur fitoren e parë në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll. Pas humbjes nga Prishtina dhe barazimit me Besën, skuadra e Drenicës të enjten ka mposhtur në udhëtim Feronikelin.

Dueli i luajtur në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ka përfunduar me shifrat 3:1 në të mirë të mysafirëve dhe i ka takuar xhiros së 21-të të Superligës.

Kreshnik Uka (18’, 79’) e Erlis Frashëri (45’+2) kanë shënuar për fitoren e Drenicës, derisa golin e vetëm për Niklin e realizoi Marko Simonovski (38’).

Feronikeli ndeshjen e mbylli me një futbollist më pak, pasi në fund të pjesëlojës së parë, Besmir Bojku u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë.

Me këtë fitore, Drenica është ngritur në kuotën e 23 pikëve, një më pak se Nikli që regjistroi humbjen e dytë rresht në pranverë.

Ndërkohë, Arbëria e ka mposhtur në Pejë Besën me rezultatin 3:0. Kjo fitore, e ka ngritur Arbërinë në pozitën e gjashtë në tabelë me 25 pikë, derisa Besa mbetet e fundit me vetëm shtatë pikë të tubuara këtë sezon.

13:59

Drenica e Arbëria në epërsi pas pjesëve të para

Skuadra e Drenicës e ka mbyllur në avantazh pjesën e parë kundër Feronikelit me rezultatin 2:1 në ndeshjen që po luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” të Drenasit dhe i takon xhiros së 21 në Superligën e Kosovës në futboll.

Kreshnik Uka (18’) dhe Erlis Frashëri (45’+2) kanë shënuar për Drenicën derisa golin për skuadrën e Feronikelit e ka realizuar Marko Simonovski (38’). Feronikeli ka mbetur me një lojtar më pak në fushë pasi në minutën e parë të kohës shtesë, mesfushori Besmir Bojku është përjashtuar nga loja pas kartonit të dytë të verdhë.

Ndërkohë, në ndeshjen e luajtur në Brestovik të Pejës, skuadra e Arbërisë është në epërsi prej dy golave kundër Besës. Braziliani Marclei (8’, 33’) ka shënuar golat për ekipin nga Dobraja që është në prag të fitores së parë në stinorin pranveror.